Agro-teknika e prodhimit të domatës

0

Është mirë e ditur se domatja gjatë kultivimit kërkon kujdes intensiv dhe ky kujdes ka të bëjë me plehërimin me pleh stalle, ushqim me Nitrat amoni gelqeror dhe mbrojtje nga morrat e gjetheve

Megjithatë, pak dihet se me veprime të caktuara mund dhe duhet të rregullojmë rritjen e domates por edhe pjekjen e fryteve.

Fjala është për krasitjen e domates dhe kjo bëhet për pengimin e degëzimit të vazhdueshëm dhe rritja jashtë kornizës së përcaktuar me karakteristikat gjenetike të llojit.

Në kultivimin e lirë domatja formon numër të madh të degëve anësore, dhe nga kjo e tërë bima fiton pamje shkurreje. Tek kultivimi i domates së hershme duhet të synojmë kultivim në një kërcell dhe kjo arrihet me heqjen e pengesave, respektivisht të degëve anësore, posa ato të rriten 4 -5 cm.

Degët penguese hiqen me kujdes, me dorë, me thikë ose gërshërë, duke pasur kujdes të veçantë q të mos e dëmtojmë kërcellin kryesor.

Rregullimi i kultivimit në një kërcell mundëson fryte më të mëdhenj të domates dhe njëherësh shkurtohet koha e pjekjes së saj. Kjo është e kuptueshme, sepse duke këputur me kohë kërcyllet që pengojnë, të gjitha ushqimet i orientojmë në drejtim të formimit dhe të pjekjes së fyteve. Megjithatë, nuk guxojmë të vonohemi me rregullimin e numrit të kërcyllave të domates, sepse rritja e bujshme vegjetative mund të ndikojë në pengimin e fryteve, të cilat kur të zhvillohen, mbesin të imët.

Të lidhurit e domateve

Sipas rregullit, lidhja e bimëve për një objekt stabil aplikohet tek perimet që kanë kërcell që shumë lehtë shtrihet për tokë. Kështu edhe domatja e hershme kultivohet duke u mbështetur në mbështetës, përkatësisht e mbështetur në hu ose kallam.

Zakonisht fjala është për hu druri, për të cilët lidhet një apo më shumë bimë. Hunjtë futen në tokë, kurse lartësia e tyre më së shpeshti është 1,5 metra. Prodhuesit e mëdhenj praktikojnë që të lidhin dy – tri radhë tel midis hunjve, të cilët vendosen në largësi prej 3-4 metrash. Teli mund të lidhet për konstruksionin e serrës.

Kur kemi të bëjmë me kultivimin në fushë të hapur, hunjtë patjetër duhet të vendosen në anë të kundërt të drejtimit të erës. Pastaj bëhet lidhja e secilës bimë, dhe duhet ditur se kërcelli i secilës bimë rritet në trashësi prej 2,5 cm, kështu që me rastin e lidhjes kjo duhet te merret parasysh. Për lidhjen e domates përdoren penjtë specialë që ndodhen në barnatore bujqësore. Përveç kësaj, sot mund të gjejmë edhe rrjeta speciale për lidhjen e bimëve dhe të fryteve, që para se gjithash përdoret tek kultivimi i shalqirit dhe të pjepres.

Fekondimi i ndihmuar

Përdorimi i “ujit mashkullor” për fekondim më të mirë të domates është posaçërisht i domosdoshëm në vitet me ditë të shumta me re. Edhe pse në sipërfaqe të vogla, fekondimi i domates mund të bëhet duke i shkundur bimët dhe me këtë shkaktohet shpërthimi i qeseve të polenit dhe fekondimi i pistilit, është shumë më e sigurt që të përdoren substanca kimike siç është, për shembull, Tomatini.

Megjithatë, është më rëndësi të përmendet se spërkatja me Toamtin ose me Bentoxanon duhet të bëhet në orët e hershme të mëngjesit, në atë mënyrë që duhet t’i spërkatim lulet.

Në keto kohë më të reja, në hapësira të mbyllura futen koshere të vogla me grerëza, të cilat kryejnë fekondimin. Duhet theksuar se në kultivimin e domateve mund të paraqitet abortimi apo dështimi i luleve. Kjo dukuri ka të bëjë me fenomene fiziologjike dhe më së shpeshti ka të bëjë me plehërim jo adekuat. Shpesh është rrjedhojë e mungesës apo tepricës së azotit dhe kjo shkakton debalansimin e ushqimit midis materieve ushqyese.