Bie çmimi i prodhimeve bujqësore vendore

0

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) thotë se indeksi total i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rënie për -6.4% gjatë tre mujorit të katër të vitit 2015, krahasuar periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Sipas ASK-së, në tremujorin e katërt të vitit 2015 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për (-6.8%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Kurs3e, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-6.0%) në tremujorin e katërt të vitit 2015, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet e tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale.

Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë.

Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.