DËMTUESIT E MOLLËS!

0

Krimbi i mollës (Carpocapsa pomonella)

Është nga dëmtuesit më të rrezikshëm të mollës. Insekti i rritur ka një njollë karakteristike rrethore me ngjyrë të mbyllët në pjesën e parë të krahëve të përparmë e cila është e rrethuar me dy vija ngjyrë ari. Vezët femra i depoziton në gjethe, fruta dhe në vend degëzime të pemës. Prek mollën, kajsinë, dardhën, pjeshkë, kumbullën etj. Zhvillon 2 gjenerata brenda vitit. Në fillim të majit dalin fluturat dhe menjëherë fillojnë me depozitimin e vezëve. Gjenerata e dytë paraqitet në mes të korrikut vemjet kërkojnë frytin ku edhe futen në brendi.
Dëmet i shkaktojnë larvat të cilat futen në brendi të frutit dhe ushqehen me brendinë e tij si dhe me farat e mollës. Përveç dëmeve duke ushqyer ajo frutat i ndotë edhe me jashtëqitje duke ulur kualitetin e tyre.

Masat e luftimit
Nga masat agroteknike me rëndësi të veçantë janë krasitja e degëve të thata dhe pastrimi i trungjeve dhe degëve nga lëkura e vjetër qysh në pranverë, mbledhja dhe zhdukja e frutave të rënë të tokë, vendosja e brezave nga kashta rreth trupave të mollës në fund tëverës dhe heqja e tyre gjatë dimrit për të shkatërruar vemjet të cilat gjinden aty etj.
Nga masat kimike rekomandohet spërkatja dimërore me preparatet: Kreozan, Galmin, Galpar, Frutapon etj. Luftohen vemjet menjëherë pas çeljes së tyre dhe para depërtimit në brendi të frutit me preparate: Sistemin, Ultracid, Lebaycid, Basudin, Sumition, Zolone, etj.

Lulengrënësi i mollës (Anthonomus pomorrum)
Lulengrënësi i mollës është i përhapur kudo ku kultivohet molla. Ka përmasa trupore rreth 5 mm, ngjyrë të zezë dhe të mbuluar me push. Ka një brez në formë te shkronjës V në pjesën e prapme të krahëve. Dimëron insekti i rritur në lëvore të trupit të mollës. Brenda vitit e zhvillon 1 gjeneratë. Herët në pranverë kur temperature të jete mbi 9°C për disa ditë që përket me fazën e fryrjes së sythave paraqiten insektet e rritura të cilat ushqehen me sytha duke hapur vrima të thella. Në kohën e gjelbërimit të sythave femra vendos nga një vezë në çdo syth frutorë ku më pas qelin larvat të cilat ushqehen me brendinë e tyre.
Insekti i rritur i këtij brezi për dy tre javë ushqehet me gjethet e mollës të cilat i skeletizon ose bën vrima në frute. Ngritja më vonë e temperaturës së ambientit dhe rënia e përqindjes së lagështisë së ajrit, detyron dëmtuesin të kalojë në të çarat e lëvores në vrimat e trungut, në vjeshtë futet për dimërim nën gjethet e rrëzuara në sipërfaqe të tokës.

Masat e luftimit
Nga masat agroteknike rol të rëndësishëm luan përmbysja e tokës rreth kurorës së mollës, shkundja e degëve në çarçaf në pranverë nëkohën e fryrjes së sythave, vendosja e brezave kapës në trungjet e pemëve në vjeshtë dhe djegia e tyre në dimër. Nga preparatet kimike rekomandohet spërkatja dimërore me preparatet: Kreozan, Galmin, Galpar etj., kurse gjatë vegjetacionit me preparatet: Zolone, Gusathion, Fenotrition etj.

Breshkëza e Kalifornisë (Aspidiotus perniciosus)
është dëmtues mjaft i përhapur në vendin tonë i cili shkakton dëme të ndjeshme në sasinë dhe cilësinë e prodhimit. Përveç frutave, dëmton dhe trungjet, degët e njoma dhe gjethet. Trungjet dhe degët e dëmtuara rëndë zakonisht kanë lëvoren tëplasaritur, prodhimi pakësohet gradualisht ndërsa gjethet rrëzohen para kohe dhe brenda disa vjetëve e tërë pema thahet.
Dëmtuesi dimëron në fazën e larvës së moshës së parë nën mbulesën e trupit të tyre dhe aktivizohet në kohën e fryrjes së sythave. Femra e rritur prodhon deri 100 larva të cilat menjëherë pas daljes janë shumë aktive, lëviz shpejtë dhe në fund stabilizohen në njëvend ku i redukohen antenat, sytë dhe këmbët duke u kthyer kështu në një formë të palëvizshme. Pas 10-12 ditëve, braktis mbulesën kitinore dhe vishet me mbulesë të re dhe kthehet në formë të rritur. Breshkëza e Kalifornisë formon tri gjenerata brenda vitit.

Masat e luftimit
Bëhet pastrimi i lëvores së drurëve nga të gjitha objektet e huaja me furça të ashpra, etj. Nga masat kimike rekomandohet para fryrjes së sythave spërkatja dimërore me preparatet: Galmin, Galpar, Parapin, Frutapon, etj., kurse gjatë vegjetacionit me preparate: Sistemin, Metasistoks, Dimekron, Imidan, Rogor, etj.
Turigjati i pemëve (Rhynchytes baccus)
Është i përhapur kudo në vendin tonë dhe prek mollën, kumbullën, qershinë dhe kajsinë. Insekti i rritur bren lastarët, gjethen e frutat kurse larva zhvillohet në frutë dhe ushqehet me brendinë e tij. Lastarët e dëmtuar nuk zhvillohen kurse frutat e dëmtuar preken nga sëmundja e kalbëzimit (Monilia) dhe bien në tokë para kohe. Insekti i rritur dimëron nën lëvore të pjesëve të ndryshme bimore apo në vende tjera të fshehta. Zhvillon një gjeneratë brenda vitit.

Masat e luftimit
Masat e luftimit ngjashëm si te lulëngrënësi i mollës.
Mollën e sulmojnë edhe dëmtues tjerë të cilët paraqiten me intensitet më të ulët:
Tenja e mollës (Hyponomeuta malinellus),
Morri i përgjakshëm (Eriosoma lanigerum), etj.

Sëmundjet e mollës:
Kroma e mollës (Venturia inaequalis)
Kroma e mollës numërohet ndër sëmundjet më të rrezikshme të mollës e cila paraqitet për çdo vit. Infeksionet primare paraqiten zakonisht në fillim të prillit dhe majit deri në mes të qershorit përmes lirimit të askosporeve nga gjethet e rëna në tokë.
Te infeksionet e hershme vie deri te rënja e gjetheve dhe e frutave kurse te infeksionet e vona vie deri te deformimi i frutave të cilët humbin vlerën tregtare të tyre.
Faza më kritike te molla është deri te faza kur frytet e formuara të kenë madhësinë e arrës që përkon me infeksionet primare kurse infeksionet sekondare paraqiten deri ne shtator.

Masat e luftimit
Nga masat agroteknike për luftimin e sëmundjes vend të rëndësishëm luan mbledhja dhe zhdukja e mbeturinave bimore për të eliminuar potencialin infektues të sëmundjes, mbledhja dhe shkatërrimi i frutave të infektuar etj.
Masat kimike duke përdorur preparate kimike rekomandohet të bëhet herët në pranverë deri në fazën e veshëve të miut me fungicidet në bazë të bakrit ndërkaq gjatë vegjetacionit rekomandohet të përdoren ndonjëri prej këtyre preparateve: Baykor, Rubigan, Benlate, Punch, Ditan, Antracol, Cineb, Venturin, Ortocid, Kaptan, etj.

Hiri i mollës (Podosphera leucotricha)
Paraqitet në gjethe dhe lastarë në të cilët edhe dimëron në formë të micelit.
Kultivarët e ndryshëm kanë ndjeshmëri të ndryshme, kështu me i ndjeshmi është Jonatani, Idaredi dhe Jonagoldi, etj.
Gjethet e infektuara më ngadalë zhvillohen, thahen dhe bien në tokë.
Te infeksionet e mëdha frytet janë më të vegjël më pak formohen sythat frutorë kështuqë rendimenti në vitin e ardhshëm zvogëlohet në masë të madhe.
Patogjeni zhvillohet në sipërfaqe kurse në gjethe vërehet një shtresë ngjyrë të përhimet që janë organet e riprodhimit të kërpudhës.

Masat e luftimit
Nga masat agroteknike rekomandohet eliminimi i lastarëve të infektuar nga pemët me qëllim të zvogëlimit të potencialit infektues të sëmundjes, mbjellja e kultivarëve imun të cilët preken më pak nga sëmundja dhe masa tjera.
Nga masat kimike rekomandohet gjatë vegjetacionit të përdoren fungicidet: Karatane, Bayleton, Afugan, Rubigan, Kosan, Kumulan etj.

Ndezja bakteriale (Erwinia amylivora)
Shkaktari i sëmundjes është patogjeni Erwinia amylovora e cila është një baktere mjaft e përhapur në vendin tonë duke shkaktuar dëme të mëdha te molla.
Bimët të cilat preken nga sëmundja janë: dardha, molla, ftoni, etj. Në lule, gjethet e reja paraqiten njollat ujore, vyshkja dhe zonat nekrotike.
Patogjeni dimëron në vendet kancerogjene në pjesë të ndryshme bimore prej nga përhapet në tërë plantacionin e pemëve përmes mjeteve të punës, krasitjes dhe formave tjera.
Kushtet me lagështi favorizojnë patogjenin kurse infeksioni shkaktohet përmes plagëve dhe lëndimeve të ndryshme në pjese të ndryshme bimore apo përmes hyrjeve natyrale të bimës.

Masat e luftimit
Sëmundja vështirë shërohet dhe në këtë drejtim mbjellja e varietetet rezistente, higjiena, plehërimi jo i tepërt sidomos me azot luajnë rol të rëndësishëm në pengimin e paraqitjes dhe përhapjes së sëmundjes.
Nga masat kimike rekomandohet trajtimi me antibiotikët (streptomicina) dhe preparate të cilat kanë materie aktive bakrin, sidomos në fidanishte dhe në pemishtet komerciale
Sëmundje tjera të cilat prekin mollën janë:
Kalbëzimi i frutave (Monilia fructigena),
Kanceri i trupit të mollës (Phythophthora spp.).