Deputetët refuzojnë raportin e Qeverisë për gjendjen e “mirë” të mjedisit

0

foto-1157

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor në mënyrë unanime vendosi të mos e aprovojë Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015.

Një gjë e tillë ndodhi me arsyetimin se ky raport ka shumë të meta dhe nuk e ka pasqyruar gjendjen reale të mjedisit në Kosovë.

Anëtari i këtij grupi, Shaip Muja, tha se një raport i tillë mund të jetë i mirë për Qeverinë e Kosovës, pasi që ata edhe e kanë pranuar me të metat që i ka, por, sipas tij, kurrsesi nuk është dashur të vijë në Parlamentin e Kosovës, transmeton KP.

Ai madje, në mënyrë ironike tha se Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duhet t‘i përgatitet edhe nga një medalje për këtë lloj raporti.

“Kur flitet në planifikimin hapësinor që thuhet dendësia e popullatës është më e madhe në pjesët urbane, se sa në ato rurale dhe kontaminimi që po u bëka nga sulfuri nuk paska impakt për shëndetin e popullatës, do të thotë popull ata nuk është e mbrojtur absolut, ndërsa këtu po shkruan se qenka gjithçka shumë në rregull, ne madje duhet t’ua përgatisim nga një medalje të arit Ministrisë së Mjedisit dhe të gjithëve dhe t’i dekorojmë që kanë sakrifikuar që po e mbrojtkan ambientin kaq shumë. Nuk është e ndershme kjo, nuk është e mirë”, tha Muja.

E anëtari i këtij komisioni, nga grupi parlamentar i AAK-së, Lahi Brahimaj, ishte kundër këtij raporti me arsyetimin se së pari është dashur të pritet vlerësimi i gjendjes së ambientit nga ana e grupit punues të komisionit, i cili është duke e monitoruar gjendjen në teren.

“Unë mendoj që ky raport fillimisht nuk duhet të kalohet hiç. Fillimisht ne kemi bërë një grup punues i cili do të merret me gjendjen e ambientit, pastaj kur të vijë vlerësimi prej grupit punues në teren atëherë mund të diskutohet a korrespondon ky raport me të dhënat tona që janë ardhur prej tereni. Prandaj, unë mendoj që nuk duhet të kalohet ky raport”, ka thënë Brahimaj.

E anëtari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha se në këtë raport nuk përfshihet asnjë e dhënë nga viti 2015, por, përfshinë vetëm vitin 2014 dhe vitet e mëparshme. Ai gjithashtu, nuk ishte pro këtij raporti edhe për vet faktin se gjithçka që thuhet aty është pozitive, gjë, që sipas tij, nuk është aspak realitet.

“Unë e lexova me vëmendje gjithë këtë raport, i cili përfshinë vitin 2014 dhe ka të dhëna edhe nga sa unë kam parë në këtë raport, sipas këtij raporti gjendja duket shumë e mirë në lidhje me mbrojtjen e ambientit, pra s’ka askund asnjë problem, me përjashtim të Obiliqit që është një problem i vogël, vetëm një problem i vogël, ndë rsa të gjitha të tjerat janë në rregull. Nuk ka asnjë ndotje të ajrit, as të dheut, as të ujit, krejt është në rregull, gjë që dyshoj se nuk është ashtu në realitet. Edhe unë mendoj që ky raport ndoshta duhet të ripunohet”, tha Salihaj.

Në anën tjetër zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Sali Salihu, propozoi që përveç raporteve të bëhen edhe analiza se pse në Kosovë ka shumë raste të vdekshmërisë nga kanceri, nëse ato janë nga produktet e importuara apo nga toka e Kosovës, ku edhe mbillen produkte bujqësore.