Fermerët e Suharekës gjejnë mbështetjen e MBPZhR-së

0

unnamed

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar kryetarin e Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e deritanishme në sektorin e bujqësisë, si dhe për masat mbështetëse të këtij viti, të cilat janë përfshirë në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programit për Pagesa Direkte, përmes të cilave ai tha se kanë përfituar edhe shumë fermerë të kësaj komune.

Me rritjen e buxhetit për këtë ministri, Krasniqi tha se është zgjeruar edhe mbështetja përmes masave të shumta përkrahëse për shumë sektor, gjë që ka ndikuar edhe në shtimin e numrit të përfituesve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, rritjen e prodhimit dhe cilësisë.

Ministri Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë e tij për të rritur mbështetjen për fermerët, dhe inkurajoi komunën që të fokusohet edhe më shumë në bujqësi, si një sektor me potencial për zhvillim dhe punësim.

Nga ana e tij, kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, e falënderoi ministrin për gatishmërinë për përkrahjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë në këtë komunë. Po ashtu, kryetari Asllanaj, e njoftoi ministrin për projektet e kësaj komune për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, gjë që sipas tij do të ndikojë edhe më tej në fuqizimin e këtij sektori në këtë komunë.