Gjashtë sensorë matin nivelin e ndotjes së ajrit në Prishtinë

0

11689209216_4e4df07a8b_b

Komuna e Prishtinës ka vendosur në 6 pika të kryeqytetit sensorë për matjen e ndotjes së ajrit.

Me këtë matje të ajrit, sipas autoriteteve komunale, qytetarët do të jenë të informuar se në çfarë ambienti jetojnë dhe se çka mund të bëjnë ata në të ardhmen për të pasur një ambient më ndryshe, më të pastër dhe më të pranueshëm për shëndetin e përgjithshëm publik, shkruan “Koha Ditore”.
Mirëpo, zyrtarët komunalë theksojnë se vendosja e aparaturës në 6 pika për matjen e ajrit është vetëm pilot-projekt, ndërsa shtojnë se më vonë aparate të tilla do të vendosen edhe në pika të tjera të kryeqytetit.
Autoritetet komunale qysh tashti konstatojnë se janë bërë hapa të rëndësishëm për ruajtjen e një ambienti më të pastër. Ata përmendin sistemin e koogjenerimit, porositjen e mbi 50 autobusëve të rinj për trafik urban, të cilët e ndotin shumë më pak ambientin, krahasuar me autobusët që janë aktualisht, modernizimin e ndriçimit publik (ruajtja e efiçiencës), rivitalizimin dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra, mbjellja e drunjve të rinj etj.
“Këto janë vetëm disa nga gjërat që e kanë vendosur Prishtinën në hartën e qyteteve për të luftuar ndryshimet klimatike”, ka thënë Miranda Mullafazli – Bejta, duke e cituar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Deri në vendosjen e sensorëve në 6 pika, në kryeqytet ambienti është matur vetëm në dy pika, nga të cilat është bërë matja e dyoksidit të sulfurit , SO2 (µg/m3), monoksidit të karbonit CO (mg/m3), ozonit O3 (ug/m3) , dyoksidit të azotit NO2 (ug/m3), ozonit O3 (ug/m3), grimcave të suspenduara PM 2.5 (µg/m3). Në një matje të ndotjes së ajrit në Komunën e Prishtinës gjatë dhjetorit të vitit 2015, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, në matjet e pandërprera 9-ditore, 7 ditë ka gjetur tejkalime të vlerave kufitare ditore, derisa vetëm dy ditë kanë qenë kufijtë e lejuar.
Në raportin e publikuar nga kjo agjenci theksohet se gjatë vitit lejohen vetëm 35 ditë të ndodhin tejkalime. Gjatë këtyre ditëve, sipas raportit, vlera e lejuar është tejkaluar 2.3 herë më shumë. Aty theksohet se gjendjes i kontribuojnë jo vetëm shkarkimet nga transporti e industria, por edhe konsumimi i lëndëve djegëse, që përdoren për ngrohje.