Gjithçka për brokolin

0

Broccoli1

Brokoli, Brassica oleracea, është një bimë perimore e cila me shtrirjen e larmishme të kultivarëve, është përhapur kudo nëpër botë. Familja Brassicacea, së cilës i përket, përfshin rreth 3000 lloje të kultivuara. Sipas vëzhgimeve historike, brokoli e ka origjinën nga pellgu i Mesdheut që përfshin Greqinë, Turqinë, Sirinë dhe Qipron.

Por përhapja dhe fillimi i kultivimit të tij në masë lidhet me latinët. Por me gjithë punën sistematike me bimën e marrë në gjendje të egër, latinëve iu desh një kohë e gjatë për të bërë vlerësimin real të brokolit.

Elozhet për këtë bimë janë të vonshme. Për një kohë të gjatë lakrat, në veçanti lakrat brokoli, konsideroheshin si “ushqim për të varfrit”. E ndoshta ky është edhe motive që nuk ka të dhëna më të sakta historike lidhur me gjenezën e bimës.

Gjithsesi, në aspektin studimor të kultivimit, emërtesa e bimës të çon në përfundimin se format e kultivimit modern janë bërë në gadishullin Apenin. Ndonëse jo në përmasa të mëdha, është tejet interesant edhe debati që bipolarizon mendimin shkencor: ndërkohë që nga pjesa më e madhe e studiuesve brokoli konsiderohet si bimë e hershme, ka edhe disa mendime që e klasifikojnë brokolin si pak më të vonshëm se lulelakra.

Pjesa dërrmuese e përfaqësimit të mendimit shkencor flet për brokolin si forma e vetme stërgjyshore, prej së cilës rrjedh edhe lulelakra. Duke u bazuar në dukuritë e përbashkëta gjenotipike, të cilat lidhen me nanizmin e trungut dhe trashjen e bishtave kërcellorë të luleve, të dyja varietetet e sipërpërmendura duhet të jenë zhvilluar nga forma pararendëse të ngjashme me brokolin.

Megjithatë, vetëm pas viteve 1600, kultivarët e brassica oleracea-s do të bëheshin lehtësisht të njohur në literature botanike, agronomike, si rrjedhojë e kërkesave në rritje të menyve të kuzhinës. Çuditërisht, për shumë kohë, bima e kultivuar mbeti në kufijtë e gadishullit Apenin.

Në një traktat të kuzhinës franceze të vitit 1560, konfirmohet për herë të parë njohja përmes një përshkrimi të përciptë. Në Angli brokoli është plotësisht i panjohur deri në fillimin e shek. XVIII. Në SHBA, ndërsa format e tjera të lakrës kishin filluar të kultivoheshin që nga viti 1540, brokoli u rekomandua nga Thomas Jefferson në vitin 1767, pa bërë bujë.

Kultivimi i brokolit mbeti për shumë kohë në qarqet amatore të horticultures dhe konsumi nisi të bëhej i ndjeshëm vetëm me hyrjen e emigracionit masiv nga Italia. Varieteti më i përhapur ishte “Verde Calabrese”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, brokoli njohu një përhapje të gjerë si ushqim “ekzotik”.

Nga fundi i shek. XIX, brokoli filloi të importohej në Lindjen e Largët, sidomos në Kinë dhe Japoni, ku shumë shpejt filloi të radhitej përbri varieteteve perimore lokale. Aktualisht, nëse në Evropë njihen mirë rreth 150 varietete të kultivuara të brokolit, në vendin tonë, si një perime relativisht e re, brokoli po mirëpritet e po zgjon interes të madh, duke pasuruar kështu menynë e tryezave tona.

Në bazë të ndryshimeve që lidhen me formën, përmasat, peshën, ngjyrën, etj., brokoli paraqitet në varietete të ndryshme, nga të cilat me më shumë interes studimor në literaturën botërore, do të veçonim tre tipe:

Brokoli Kalabrez

Mbi këtë strukturë varietore është punuar shumë dhe disponohen një numër i mirë kultivarësh të shumëllojshëm të hershëm e të vonshëm.

Rritja e bimës është në një sistem të zhvilluar degëzimesh dhe ngrihet deri në 70 cm nga toka. Kokat nuk janë të mëdha, por degëzimet e shumta prodhojnë shumë fruta edhe nëpër zhvillimet anësore, që shfaqen pas vjeljes së kokës qendrore, e cila nuk është shumë e madhe dhe arrin deri në një diametër prej 10 cm.

Lulimet me ngjyrë jeshile të errët, me kokrriza të mesme, kanë formë sferike.

Kushtet më të mira të kultivimit të bimës janë në distancë 40-50 cm nga bima në bimë dhe 60-70 cm nga rreshti në rresht. Konsumohen kokat, vazhdimet kërcellore të lulimeve, por edhe gjethet e vogla e të njoma që shoqërojnë kokën e brokolit.

Brokoli Romanesk

Rritet me gjatësi deri në 80 cm. Fruti ngjan me lulelakrën, por ka një ngjyrë jeshile fare të hapët, formën që i përgjigjet një ngushtimi piramidal dhe shumë lulime të vogla, të zhvendosura në trajtë spiraleje të përsëritura me rregullsi të përsosur gjeometrike.

Diametri i frutit arrin në rreth 15 cm. Sigurisht që kokat që dalin nga degëzimet anësore janë në përmasa shumë më të vogla se koka qendrore.

Çdo lulim përbëhet nga shumë lulime të tjera më të vogla, që i japin brokolit romanesk formën e tij karakteristike.

Kushtet më të mira të kultivimit të bimës janë: distanca në rresht 40-50 cm larg njëra-tjetrës dhe mes rreshtave 60-70 cm. Bimës nuk i hahen gjethet.

Brokoli i Veronës

Është varietet i përshtatshëm për klimë më të ftohtë dhe ka rritje me lartësi më të ulët; arrin deri në rreth 50 cm gjatësi.

Koka paraqitet me ngjyrë të bardhë disi në gri, me diametër 10-15 cm dhe është në formë sferike, kompakte, por nuk është e rëndë në peshë. Kushtet. më të mira të kultivimit të bimës janë: distanca në rresht 40-50 cm larg njëra-tjetrës. Nuk i konsumohen gjethet.