Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Gjysma e ushqimit të botës shkon dëm - Bujqesia.eu

Gjysma e ushqimit të botës shkon dëm

0

largea_ushqime1427733242

Një studim zbulon se shumica e ushqimeve të blera në Evropë dhe SHBA përfundon në koshin e plehrave.

Më shumë se gjysma e ushqimit të prodhuar në botë, ose mbi 2 miliardë tonë, përfundon çdo vit në koshin e plehrave, bën të ditur një raport i detajuar i përgatitur në Britaninë e Madhe.

Instituti për Inxhinierinë Mekanike (IME) tha se keqpërdorimet shkaktohen nga magazinimi i keq, afatet e ngurta të skadencës, ofertat për shitje me shumicë dhe moskujdesjes së konsumatorëve.

Studimi zbuloi se në shumë vende, deri në 30 për qind e zarzavateve liheshin të kalbeshin në fushë për shkak se kishin pamje të papërshtatshme për shitje.

Dr. Tim Fox, autor i studimit, tha se niveli i humbjeve pas prodhimit është “rrëqethës”.

Raporti thotë se 30 deri në 50 për qind e katër miliardë tonë ushqimeve të prodhuara në të gjithë botën, shkon dëm. Por shumica e ushqimeve të blera në Europë dhe në SHBA, përfundojnë në plehra, dukshëm më shumë sesa në vende të tjera të botës.

Dr. Fox, kreu i energjisë dhe mjedisit tek Instituti i Inxhinierëve Mekanikë, tha: “Sasia e ushqimit të humbur nëpër botë është rrëqethëse. Ky është ushqim që mund të përdoret për të ushqyer popullatën në rritje të botës – si dhe ata që sot vuajnë nga uria”.

“Ky është gjithashtu një keqpërdorim i panevojshëm i tokës, ujit dhe burimeve energjetike që përdoren për prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e ushqimit.

Arsyet për këtë fillojnë nga praktikat e dobëta bujqësore te transporti dhe magazinimi i papërshtatshëm nëpër supermarkete që kërkojnë vazhdimisht ushqime perfekte nga pikëpamja kozmetike dhe nxisin konsumatorët të blejnë më shumë nga sa mund të konsumojnë përmes ofertave të llojit: bli një dhe merr një tjetër falas”.

Por në pjesën e botës në zhvillim, humbjet janë në pjesën e parë të zinxhirit të furnizimit ushqimor, pra mes fushës dhe tregut.

“Në vendet e zhvilluara dhe të faturuara, humbjet janë përgjithësisht si pasojë e praktikave të dobëta të marketingut dhe sjelljes konsumatore.”

Raporti – Ushqimi Botëror; mos shpërdoro – zbuloi gjithashtu se një sasi e madhe uji, që mund të jetë rreth 550 miliardë metra kub, përdoret për të rritur ushqime që nuk konsumohen kurrë.

Instituti tha se kërkesa për ujë për prodhimin e ushqimeve mund të arrijë në 10-13 trilionë metra kub deri në vitin 2050. Organizata e Kombeve të Bashkuara parashikon se do të ketë rreth 3 miliardë gojë shtesë për t’u ushqyer nga viti 2075, ndërsa popullata e botës pritet të arrijë në 9.5 miliardë njerëz.

Dr. Fox shton: “Ndërsa uji, toka dhe burimet energjetike vihen gjithnjë e më shumë nën presion nga kërkesat konkurruese të njerëzimit, inxhinierët kanë një rol kyç për të luajtur për të zhvilluar mënyra më eficente për rritjen, transportin dhe magazinimin e ushqimeve. Por në mënyrë që kjo të ndodhë, qeveritë, agjencitë e zhvillimit dhe organizatat si OKB duhet të punojnë së bashku për të ndihmuar njerëzit të ndryshojnë mentalitetin e tyre mbi plehrat dhe të diskurajojë praktikat që krijojnë mbetje nga fermerët te përpunimi ushqimor, supermarketet dhe konsumatorët”.

Toine Timmermans, nga një qendër kërkimore në Holandë, e cilësoi kërkimin e kryer nga IME si një “raport i rëndësishëm që vendos vëmendjen te një çështje e rëndësishme”.

Por ai shtoi: “Bazuar në vitet gjatë së cilave u krye studimi, unë mendoj se vlerësimi mbi sasinë e ushqimeve të keqpërdorura, (1.2-2 miliardë tonë) është një vlerësim tepër i lartë dhe jorealist”.

Tristram Stuart, nga grupimi aktivist ushqimi 5000, i cili lufton keqpërdorimet e ushqimeve, tha: “Është një studim i mrekullueshëm, sepse deri tani nuk kishte pasur asnjë analizë sistemime në nivelin e fermave as në Britani dhe askund tjetër në Europë apo SHBA”.

“Nga eksperienca ime, është një praktikë normale për fermerët të supozojnë se 20 deri në 40 për qind të frutave apo zarzavateve të tyre nuk do të mbërrijnë në treg, edhe nëse ato janë tërësisht të përshtatshme për konsum njerëzor”.

Tom Tanner, nga Shoqata e Restoranteve të Qëndrueshme, tha: “Është pushteti i rrjeteve të mëdha të supermarketeve apo dyqaneve të lira, të cilat janë në gjendje të të shtyjnë të blesh ushqime të gatshme në dy minuta në vend që të të shtyjnë të përdorësh atë që sakaq e ke në frigorifer”.

Ai shtoi se ushqimet në restorante në masën 30 për qind përfundojnë në plehra si pasojë e racioneve që janë më të mëdha sesa nevojat e njeriut dhe mbeten të pakonsumuara në tërësi.

Analiza

Matt McGrath

Shpërdorimi i ushqimit është një temë shumë e dashur për njerëzit. Por raporti i fundit, ndërsa rithekson përmasat e problemit, nuk jep shumë propozime për zgjidhjet e mundshme.

Raporti i Institutit të Inxhinierëve Mekanikë ka përdorur shuma të mëdha nga puna e kryer përgjatë shumë vitesh nga Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit të OKB-së. Gjithsesi, një ekspert i fushës thotë se deri më sot nuk ka të dhëna të besueshme në shkallë botërore për nivelin e humbjeve.

Një nga deklaratat më të forta të raportit është se “30 për qind e të gjitha zarzavateve në Britaninë e Madhe nuk vilet kurrë.”

Kjo tregon se fermerët po i lënë zarzavatet në fushë për shkak se ato nuk plotësojnë standardet e kërkuara nga supermarketet. Kërkuesit, thonë se kjo deklaratë bazohet te një vëzhgim i vitit 2008 mbi patatet.

Por pretendimi kryesor ku thuhet se deri në 50 për qind e të gjithë ushqimit përfundon në plehra në një mënyrë apo në një tjetër, varet para së gjithash nga përkufizimet.

Së paku një dallim duhet të kryhet mes humbjes së ushqimeve nga fusha në supermarket dhe hedhjet e ushqimeve të tepërta pasi të jenë blerë nga konsumatorët.