Kontroll më i shtuar për prezencën e hekurit dhe acidit folik në miell

0

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar sot shefen e UNICEF-it në Kosovë, znj.Laila Omar Gad me të cilën ka biseduar rreth pasurimin të miellit me acid folik dhe hekur, një projekt që UNICEF dhe MBPZHR-ja e implementojnë që nga viti 2012. Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe përfaqësues nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

U vlerësua se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim duke e miratuar vite më parë ligjin, për të qenë kështu ndër vendet e para në botë  që ka punuar dukshëm në këtë drejtim.

Acidi folik dhe hekuri në miell janë dy elemente të rëndësishme për shëndetin e fëmijëve të porsalindur. Në këtë takim u arrit një dakordim që të ketë një kontroll më të madh tek prodhuesit dhe importuesit e miellit për të parë më saktë prezencën e këtyre dy elementeve në miell. Gjithashtu u ra dakord që të punohet për lirim nga tarifat doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar  (TVSH) të premiksit që përmban acid folik dhe hekur të nevojshëm për pasurimin e miellit.

Ministri Krasniqi premtoi se do ta trajtojë me prioritet këtë gjë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka për shëndetin publik pasurimi i miellit me këto elemente. Ai tha se do të shikohen të gjitha mundësitë, duke bashkëpunuar edhe me të gjitha institucionet tjera që mielli i prodhuar në Kosovë, por edhe i importuar të përmbajë sasitë e duhura të acidit folik dhe hekurit.

Ministri dhe zonja Omar Gad u pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm për të konkretizuar hapat e bashkëpunimit për këtë gjë.