Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Kooperativa Bujqësore e Grave “Krusha” shembull i punës dhe përkushtimit - Bujqesia.eu

Kooperativa Bujqësore e Grave “Krusha” shembull i punës dhe përkushtimit

0

krushe

Kooperativa e grave fermere “Krusha” në Krushë të Madhe është themeluar me nismën e disa grave kryefamiljare, të cilat kanë humbur burrat në luftë. Vullneti dhe përkushtimi i madh bënë që kjo veprimtari e grave fermerë të rritet nga viti në vit dhe të shndërrohet në veprimtari afariste fitimprurëse. Gratë e angazhuara dhimbjen dhe vuajtjet i kanë kthyer në forcë. Puna e madhe bën që ato të krijojnë të ardhura të mira për familjet e tyre, rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Rritja e vazhdueshme e kërkesave në treg ka bërë që një numër i madh i grave të angazhohen aktivisht, duke ju ndihmuar ekonomive të tyre familjare, jo vetëm të Krushës së Madhe.
Nga puna artizanale tek teknologjia bashkëkohore
Fahrije Hoti, drejtoreshë e kooperativës “Krusha”, thotë se krejt ka nisur si aktivitet familjar, pasi që banorët e kësaj ane njihen për respektin ndaj punës dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore të njohura gjithandej. Ajo thotë se vit pas viti kapacitetet janë zgjeruar, ndërsa kërkesa në treg ka ardhur duke u rritur. Kjo nënkupton se cilësia e mirë e prodhimeve, respektivisht e perimeve të konservuara, ndikon që konsumatorët të ndjehen të sigurt në konsumimin e këtyre prodhimeve.
Këtë vit kooperativa “Krusha” ka përfituar nga një grant qeveritar dhe ka ngritur kapacitete të reja prodhuese. Tashmë mundësitë për rritje të prodhimtarisë janë më të mira. Po ashtu edhe numri i të punësuarve është rritur. Aktualisht në përpunim dhe konservim të perimeve punojnë rreth 50 punëtorë, kryesisht gra dhe vajza krushjane. Disa janë me kontrata të rregullta vjetore, kurse gjastë sezonit të shkurtër të kultivimit të specit angazhohen edhe punëtorë me mëditje. Kooperativa “Krusha” ka të angazhuar edhe staf profesional, respektivisht teknolog të ushqimit dhe profesionistë të tjerë të nevojshëm për mbarëvajtjen e punëve. Zonja Hoti thotë se tregu i vendit është gjithnjë më kërkues. Këtë vit janë rritur mundësitë që të tregtohen rreth 200 mijë kg spec i konservuar dhe i përpunuar. Madje ajo thotë se tregu i Kosovës mund të absorbojë deri në 600 mijë kg spec apo edhe më shumë. Falë këtij angazhimi dhe përkushtimi, punëtorinë e KB “Krusha” kanë nisur ta vizitojnë edhe tregtarë jashtë vendit. Fahrija thotë se, përpunimi i perimeve, në radhë të parë të specave, në kushte shtëpiake me metoda dhe teknologji bashkëkohore, kombinuar me metodat tradicionale, bën që këto prodhime të jenë mjaft të kërkuara në treg. Kooperativa “Krusha” bën përpunimin dhe konservimin e 12 llojeve të perimeve. Recetat janë prodhime shtëpiake tradicionale me përbërës natyral. Prodhimet cilësore përfitohen nga perimet vendore të prodhuara nga bujqit e vyeshëm të Krushës së Madhe dhe rrethinës. Kooperativa “KRUSHA” aplikon teknologji bashkëkohore, e dizajnuar për cilësi dhe siguri të ushqimit. Kooperativa arrin të përpunojë deri në 200 ton në vit, me tendencë të shtimit të prodhimtarisë vjetore.
Nga konservimi dhe përpunimi përfiton edhe prodhimtaria primare bujqësore
Drejtoresha Hoti thotë se, nga puna e madhe e grave krushjane nuk përfitojnë vetëm familjet e tyre, por kjo i ndihmon edhe përmbylljes së zinxhirit prodhues. Prodhimet e konservuara dhe të përpunuara tregtohen më sigurt në treg dhe kjo ndikon në efikasitetin edhe të prodhimtarisë bujqësore në vend. Ajo që dikur përbënte shqetësim për kultivuesit e perimeve, kryesisht të specit, tregu sot konsiderohet si një problem në zgjidhje. Prodhimet e KB “Krusha” sot i gjen në raftet e të gjitha qendrat e mëdha tregtare në vend, por nuk mungojnë edhe kërkesat për tregun e jashtëm.
Ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese e kanë ndihmuar: MBPZHR, Komisioni Evropian, Komuna e Rahovecit, USAID (programi NOA), GIZ-i gjerman, SuissIntercooperation, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Syri Vizion, KMDLNj në Prishtinë dhe donatorë të tjerë, të cilëve Fahrija me shoqet e saj ju është shumë mirënjohëse dhe falënderuese.Planet afariste të KB “Krusha” janë që të furnizojë sa më mirë tregun vendor, duke synuar edhe tregun e jashtëm rajonal dhe të vendeve të BE-së. Në bashkëpunim me kultivuesit e perimeve të këtij fshati dhe të rajonit, të zgjerojë sipërfaqet me kulturën e specit, nga rreth 50 ha sa ka aktualisht, në qindra hektar tokë bujqësore. Përmirësimi i marketingut për prodhimin e pemëve dhe perimeve mbetet ndër objektivat e KB “Krusha”. Seriozitetin e punës e dëshmojnë edhe mirënjohjet, falënderimet dhe lëvdatat e shumta që kjo kooperativë e grave ka marrë ndër vite./RahovecPress/