Krasniqi kërkon më shumë mundësi e lehtësira për eksport në Turqi

0

memli

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, me ftesë të Ministrit të Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci po merr pjesë në edicionin e 84-të të Panairit Ndërkombëtar të Izmirit. Në hapje të panairit po marrin pjesë edhe ministra e zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.

Mbrëmë, në takimin e përbashkët mes ministrave pjesëmarrës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga shtete të ndryshme të botës, ministri Krasniqi takoi ministrin e Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci. Ai e njoftoi atë me gjendjen e ekonomisë në vend dhe për përpjekjet e shumanshme që po bëhen për rritjen e vazhdueshme të saj.

“Volumi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Turqisë nuk është në nivelin e potencialit që ka dhe për të arritur këtë duhet që të dy qeveritë të mbështesin bizneset e dy vendeve tona, duke përfshirë lehtësimet afariste për to”, tha ministri Krasniqi.

Ndërkaq ministri Zeybekci duke iu referuar ratifikimit nga Parlamenti i Turqisë se Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Kosovën, tha se për të dy vendet po nis një kapitull i ri.

“Ne besojmë se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, do të fillojë një kapitull i ri i raporteve ekonomike ndërmjet dy vendeve tona dhe ne i mbështesim ndërmarrësit tonë që të shohin mundësitë e afarizmit me Kosovën, duke përfshirë edhe fushën e bujqësisë”, tha ai.

Gjatë ditës se sotme, ministri Krasniqi ka takuar përfaqësues të lartë të bizneseve në Izmir, ndër ta kryetarin e Odes Ekonomike të Izmirit, Ekrem Demirtas,  si dhe kryetaren e Burses Tregtare të Izmirit, Isinsu Kestelli.

Në takim me ministrin e Odës Ekonomike të Izmirit, ministri Krasniqi prezantoi të arriturat e Kosovës në ekonomi, dhe me theks të veçantë tek bujqësia. Krasniqi tha se qeveria e ka në prioritet bujqësinë në këtë mandat, si sektor me ndikim të madh në zhvillim ekonomik dhe punësim. Ai tha se politikat e qeverisë janë hartuar dhe po hartohen në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe fermerëve në Kosovë. Ministri Krasniqi e njoftoi kryetarin Demirtas me prodhimtarinë vendore dhe mundësitë për eksport.

Në këtë drejtim, ministri tha se Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, por shtoi se ka nevojë që bizneset nga Kosova të rrisin edhe më shumë eksportin në Turqi, dhe për këtë ai kërkoi mbështetjen e Odës Ekonomike të Izmirit.  Ministri Krasniqi po ashtu kërkoi nga Demirtas që të rrisin bashkëpunimin me komunitetin e biznesit në Kosovë dhe të shqyrtojnë mundësitë për projekte investuese konkrete në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Izmirit, Ekrem Demirtas,  theksoi po ashtu nevojën që prodhuesit bujqësor në Kosovë por edhe biznese të tjera të rrisin eksportin në Turqi. Demirtas tha se janë shumë të interesuar që të bashkëpunojnë me afaristët nga Kosova dhe të shohin mundësitë për projekte konkrete, në veçanti në krijimin e një komunikimi të rregullt mes afaristëve nga të dyja vendet.