Krasniqi lypë mundësi edukimi për bujqit kosovarë në SHBA

0

memli

Në ditën e dytë të vizitës në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka marrë pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Botëror për Ushqim që organizohet nga Fondacioni “World Food Prize”. Këtë vit, për kontribut të jashtëzakonshëm në luftimin e urisë, çmimi ju nda Sir Fazle Hasan Abed, themeluesit dhe kryesuesit te BRAC, qe është OJQ-ja më e madhe në botë. World Food Prize konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme për bujqësinë në botë.

Në margjina të ceremonisë, ministri Krasniqi ka takuar edhe Sekretarin për Bujqësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tom Vilsack. Ministri Krasniqi e informoi sekretarin me të arriturat dhe sfidat në bujqësinë e Kosovës. Ai e falënderoi sekretarin Vilsack për ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës në çdo etapë dhe çdo fushë, e në veçanti në bujqësi përmes programeve të ndryshme që implementohen nga USAID-i.

Ministri tha se bujqësia mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe se investimet po rriten çdo vit. Ai shfaqi interesimin që të zgjerohet bashkëpunimi në bujqësi mes dy vendeve, në veçanti në fushën e edukimit dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjatë ditës së enjte, ministri Krasniqi ka vizituar edhe Fakultetin e Shkencës të Kafshëve, ku është takuar me udhëheqësit e tij, ndërmjet të cilëve edhe me profesorin Curtis Youngs, i cili ka ndihmuar dhe po ndihmon Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, në përpjekje për të përmirësuar racën e gjedheve në Kosovë.

Ministri po ashtu ka vizituar edhe Laboratorin e Mishit në kuadër të Universitetit si dhe ka takuar drejtuesit e Programit për Shërbime Këshillimore në kuadër të universitetit.

Në këto vizita dhe takime me drejtues të këtyre institucioneve, është njoftuar mbi praktikat e tyre të punës dhe shërbimet që i ofrojnë edhe për fermerët dhe sektorin privat. Ministri Krasniqi shfaqi interesimin për mundësitë që ofron ky universitet për studentët ndërkombëtarë, për të punuar që në të ardhmen të mbështetin student nga Kosova për studime në bujqësi në këtë universitet. Ai tha se mund të thellohet edhe me tej bashkëpunimi në shkëmbimin e përvojave akademike në bujqësi, duke organizuar takime dhe vizita studimore më të shpeshta të profesorëve dhe studentëve nga Iowa në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjatë së enjtes ai po ashtu ka zhvilluar takim edhe me, Philip Karsting, Udhëheqës i Zyrës për Shërbim të Jashtëm në Bujqësi në kuadër të Departamentit të Bujqësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ministri Krasniqi e falënderoi zotin Karsting për mbështetjen që SHBA-të po i japin bujqësisë në Kosovë përmes programeve të USAID.

Ai foli për të arriturat dhe sfidat në bujqësi, dhe impaktin që ajo ka dhe mund të ketë në ekonominë e vendit. Ministri shprehi interesimin që edhe programet e tjera të SHBA-së në bujqësi të mund të aplikohen edhe në Kosovë më synimin që ky sektor të bëjë edhe më shumë hapa pozitiv dhe të jetë një motor i ekonomisë së vendit.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, në ditët e ardhshme ministri Krasniqi do të zhvillojë takime të nivelit të lartë edhe në Bankën Botërore si dhe në USAID.