Krasniqi: Programi i ri për bujqësi krijon 3 mijë vende të reja pune

0

Me programin e këtij viti të prezantuar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural është ndarë buxheti prej 46 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë. Vetëm për mbështetje të fermerëve me grante nga këto mjete janë ndarë 23 milionë euro, ose 3 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Ndërsa, për mbështetje të fermerëve me anë të subvencioneve janë paraparë 20 milionë euro që pritet të rezultojë në shtimin e tokave në prodhimtari dhe në krijimin e 3 mijë vendeve të reja të punës.

Gjatë prezantimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2016 dhe programin për pagesat direkte 2016, të cilat sivjet përfshijnë në buxhet prej 46 milionë, u tha se me këtë fond të granteve për agrobizneset rriten ofertat e reja në bujqësi , forcohet rritja e konkurrencës së fermave ekzistues, avancohen linjat e reja të përpunimit dhe ngritja e standardeve të cilësisë.

Me këtë program mbështeten me anë të granteve sektori i pemëve, sektori i perimeve, sektori i mishit, sektori i qumështit, sektori i rrushit, sektori i vezëve etj. Vlera minimale e përfitimit nga fondi i granteve është 10 mijë euro, kurse maksimale 100 mijë euro.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se ky program është në shërbim të fermerëve duke arritur standardet evropiane, dhe se fazat e aplikimit në këtë vit janë në dy faza.

Me këtë program, ai pret të hapen 3 mijë vende të reja të punës me mbështetjen agrobizneseve. Derisa në vitin e kaluar sipas Krasniqit në sektorin e bujqësisë ishin punësuar 2 mijë e 500 punëtor. Ai tha me këtë fond ndikimet ishin në zëvendësimin e importit të produkteve bujqësorë që janë të mëdha.

“Këtë viti kemi një program që buxheton 3 milion euro më shumë se sa vitin e kaluar. Ani pse ju e dini qe ne që ne mendojmë dhe besoj që ju pajtoheni, që nevojat janë që të kemi një rritje edhe më të madhe. Pra këtë vit programi për zhvillim rural do të ketë në dispozicion 23 milion euro. Gjithsesi ne mendojmë shpesh suksesi realisht nuk qëndron, vetëm në mjetet apo shumën financiare që kemi në dispozicion, por qëndron tek efikasiteti i zbatimit të këtij buxheti. Ne zotohemi edhe sot që transparenca e plot dhe efikasiteti në zbatim të këtij programi do të vazhdojnë të jenë objektiva jonë qendrore”, tha Krasniqi.

Ai tha se këtë viti do të ketë risi, duke i mbështetur edhe fusha të reja, bujqësinë organike dhe akuakulturën, të cilat sipas Krasniqit për herë të parë do të fillojnë të mbështeten nga viti 2016.

“Ne këtë vit vijmë me disa ndryshime në program duke lehtësuar në shumë vende me disa kritere që kanë qenë, e në disa raste duke i qartësuar shumë prej atyre që kanë pasur mundësi që të jenë dy kuptimësi. Është bërë një punë shumë e mirë nga ana e autoritetit menaxhues në bashkëpunim edhe me agjencinë për zhvillimin e bujqësisë dhe me departamentet e Ministrisë, për të krijuar një program me objektiva të qarta dhe me synime të arritshme para së gjithash një program që do të jetë në shërbim të fermerëve tonë”, ka deklaruar Krasniqi.

 

Ai tha se janë të vetëdijshëm se asnjë program i kësaj natyre nuk mund të jetë i përkryer dhe mund të ketë kritere që nuk mund t’i arrijmë të gjithë, por synohet arritja graduale të standardeve të Bashkimit Evropian.

Ai ka folur edhe për arritjet e vitit të kaluar me anë të këtyre programeve, që sipas ministrit janë shtuar sipërfaqet e tokës për kultivim, ka pasur një rritje të dukshme të prodhimtarisë, e cila ka ndikuar dhe po ndikon drejtpërdrejt në arritjen e një objektivi tepër të rëndësishëm që ka zëvendësuar importet që ende janë të mëdha në sektorin agroushqimor, por po ashtu edhe në rritjen graduale të eksporteve.

Vitin e kaluar ishin hapur mbi 2 mijë e 500 vend të reja të punës në sektorin e bujqësisë. Në total janë investuar vetëm përmes programit për zhvillim rural rreth 32 milionë euro në bujqësi. 20 milionë euro nga buxheti i Ministrisë dhe 12 milionë euro të tjerë janë gjeneruar nga vet fermerët përfitues si pjesë e bashkë-investimeve të këtij programi.

Kurse, programi për drithëra të bardha për aplikim të fermerëve në këtë sektor ende nuk ka filluar aplikimi. /KosovaPress