Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Masat e nevojshme për kultivimin me sukses të koprës - Bujqesia.eu

Masat e nevojshme për kultivimin me sukses të koprës

0

kopraKopra është shumë e përhapur, por më së shumti i konvenon klima mesatarisht e ngrohtë. Është e ndjeshme në acar. Ka nevoja të shtuara për lagështi. Bimët që kultivohen për shkak të farës (frytit), mund të tolerojnë edhe më pak lagështi.
Kopra nuk kërkon tokë shumë pjellore. Përveç në tokë ekstremisht ranore ose në tokë me këneta, lehtë kultivohet në lloje të ndryshme të tokës. Më së miri i përgjigjet toka e pëlleshme me thartirë të dobët dhe me reaksion neutral.

Kopra kultivohet si bimë njëvjeçare dhe në sipërfaqe mbetet relativisht shkurt. Patjetër duhet kultivuar në radhë. Parambjelljet më të volitshme për këtë bimë janë bimët bishtajore njëvjeçare dhe ugaret e plehëruara. Për shkak të periudhës së shkurtë të vegjetacionit, kopra mund të kultivohet edhe si bimë vjeshtake. Me këtë rast, mbillet pas perimeve të hershme, madje edhe pas disa drithërave vjeshtake që piqen më herët. Nëse kultivohet si vjeshtore, duhet siguruar ujitjen.. Nëse, megjithatë, kultivohet si mbjellje kryesore, sipërfaqja pas korrjes mund të përdoret për prodhimin vjeshtor të perimeve.

Pasi që kopra në sipërfaqe mbetet për një kohë të shkurtër dhe ka sistem të dobët rrënjor, përpunimit të tokës duhet kushtuar kujdes të duhur. Sipërfaqen duhet rrafshuar dhe imtësuar mirë. Përpunimi bazë është i njëjtë sikur edhe për kulturat tjera dhe duhet filluar menjëherë posa të largohen para mbjelljet. Lëvrimi bëhet në thellësi prej 30 cm. Sipërfaqja e lëvruar duhet të dimërojë dhe në pranverë sa më herët duhet bërë përgatitjen e tokës para mbjelljes. Shtresa sipërfaqësore e tokës duhet rrafshuar dhe imtësuar mirë sikur për kulturat e kopshtarisë.
Kopra kërkon shumë ushqime, sepse në sipërfaqe prej 1 ha formohet më shumë se 20 000 kg masë të gjelbër dhe fryte.

Pasi që rrënja është dobët e zhvilluar, të mbjellave duhet siguruar sasi të mjaftueshme ushqimi, në mënyrë që për një kohë të shkurtë të mund të krijojë biomasën e duhur. Në kushte normale në para kultura duhet aplikuar pleh stalle, kurse në tokë me pjellori të dobët edhe kopra mund të plehërohet me pleh stalle, por me kusht që plehu të jetë i pjekur.

Për plehërim bazë përdoren plehra komplekse NPK. Zakonisht përdoret NPK 8-16-22, në sasi 600-700 kg/ha. Përveç kësaj, gjatë vegjetacionit nevojitet edhe azoti.

Kopra shumohet vetëm me mbjelljen direkte të farës. Për mbjellje përdoren makinat mbjellëse në të cilat mund të vendoset hapësira midis radhëve, sasia e farës dhe thellësia e mbjelljes. Më së mirë është që kopra të mbillet në radhë të pandërprerë me distancë prej 40 – 50 cm. Në sipërfaqe pa baroja distanca mund të jetë edhe më e vogël ( 20 cm). Për mbjelljen e 1 ha nevojiten prej 5 deri 10 kg farë. Sasia e farës varet nga hapësira midis radhëve. Për hapësirë prej 40 cm nevojiten 4 – 6 kg/ha farë, për distancë prej 20 cm 8-10 kg/ha Fara mbillet në thellësi prej 2 deri 3 cm. Koha më e përshtatshme për mbjellje është gjysma e prillit.

Fara zakonisht mbinë pas 20 ditëve. Mbjellja më e vonshme nuk është e mirë, sepse ekziston rreziku nga paraqitja e thatësisë.
Kujdesi ndaj koprës përfshinë kultivimin dhe prashitjen midis radhëve, ushqimin, herrjen dhe ujitjen. Kultivimin dhe prashitjen midis radhëve mund ta bëjmë bashkërisht vetën në rastet kur kemi radhë të gjera të mbjelljes, sepse në distancë më të vogël se 30 cm nuk ka mundësi të aplikohet kultivimi midis radhëve. Në raste të këtilla, të mbjellat munden vetëm të prashiten. Kultivimin dhe prashitjen duhet filluar menjëherë pasi të formohen radhët.

Numri i prashitjeve varet nga faktorët fizik të tokës dhe nga shkalla e barojave të paraqitura. Më së shpeshti prashitja bëhet dy herë, sepse pas prashitjes kultura zhvillohet shpejt dhe mbulon hapësirën midis radhëve. Në këtë mënyrë bimët vetë i shkatërrojnë barojat.
Ushqimi gjithashtu, bëhet dy herë, por në tokë me pjellori të dobët – tri herë. Për këtë kulturë përdoren plehra azotike . Ushqimin e parë duhet bërë në fazën e formimit të radhëve, përkatësisht vetëm pak kohë para se të bhet prashitja e parë. Përdoret rreth 100 kg/ha pleh azoti. Plehërimi i dytë, në sasi prej 100-200 kg/ha duhet bërë para prashitjes së dytë.

Ujitja në kushte normale nuk ka nevojë të bëhet, sepse bimët pas formimit të radhëve bëjnë hije të dendur dhe pengojnë tharjen e tokës. Megjithatë, nëse thatësia zgjatë më shumë, atëherë paraqitet nevoja për ujitje. Ujitje është e domosdoshme kur kopra mbillet si bimë vjeshtore.

Në prodhimtarinë e koprës është me rëndësi të caktohet momenti i duhur për korrje. Lulëzimi dhe pjekja e farës nuk është e njëtrajtshme. Rregullisht në mbjellje në të njëjtën kohë kemi tufën e luleve të gjelbra dhe lule të zhvilluara normalisht. korrja bëhet në lartësi prej 10 cm, përkatësisht mbi gjethe që kanë ndërruar ngjyrë. Nëse në bimë nuk ka baroja, korrja mund të bëhet me makina korrëse. Pas korrjes, prodhimi menjëherë thahet.
Korrjes së koprës për prodhimin e vajit eterik duhet kushtuar kujdes të veçantë.

Posaçërisht është e rëndësishme të caktohet momenti kur në bimë ka më së shumti vaj eterik dhe kur ka cilësinë më të mirë. Hulumtimet kanë treguar se korrjen duhet bërë kur pjesa më e madhe e fryteve kanë kaluar të ashtuquajturën pjekuri skulpture. Atëherë kërcelli në pjesën mbi tokë fillon të ndërrojë ngjyrën, kurse gjethet e poshtme fillojnë të bien. Është shumë e rëndësishme që gjethet të ruhen, sepse nëse bien, rendimenti i vajit mund të bie shumë.

Edhe korrjen e koprës për përfitimin e fryteve duhet bërë në kohën e duhur. Nuk bën të pritet që të piqen të gjitha frytet, sepse disa fryte nga qendra e bimës do të thahen dhe pikërisht këto fryte kanë kualitetin më të lartë. Korrja e koprës për prodhimin e farës mund të bëhet me kombajnin për drithë. Në sipërfaqe të vogla korrja me dorë është dukshëm më e përshtatshme, sepse me këtë rast humbjet janë më të vogla. Fryti i koprës paketohet në thasë dhe ruhet në vend të terur, të ftohtë dhe të ajrosur.

Për prodhimin e vajit eterik shfrytëzohet kopra që është në fazën e pjekjes së shumicës së fryteve. Masa e vyshkur destilohet me avull te ujit. Procesi i destilimit të vajit nga frytet është i njëjtë me procesin e fitimit të vajit nga herba. Para destilimit frytet imtësohen.

Rendimentet e koprës varen nga kushtet natyrore dhe nga aplikimi i agroteknikës. Nga 1 ha fitohen 10 000- 15 000 kg kopre të frskët ose 2000-4000 kg herbe të thatë dhe rreth 1000 -1500 kg/ha fryte. rendimenti i vajit eterik nga herba është 50 -70 kg/ha dhe nga frytet 25 -50 kg/ha.