Mashtrimet në industrinë e prodhimit të vajit të ullirit

0

Në Nëntor të vitit të shkuar, konsumatorët Italianë u tronditën nga një skandal që përfshinte shtatë kompanitë më të njohura në vend për prodhimin e vajit të ullirit 2 Për shekuj me radhë, vaji i freskët i ullirit ka qenë një domosdoshmëri, jo vetëm si ushqim, por edhe si ilaç dhe aleat i bukurisë.

Kërkimi për vajin më të mirë të ullirit, sidomos atë ekstra të virgjër, është kthyer në një gjueti të mirëfilltë. Kohët kanë ndryshuar. Tregtia ndërkombëtare e vajit të ullirit është e pisët. Mafia është e përfshirë në këtë biznes miliarda eurosh dhe konsumatori shpesh blen sapunin për djathë. Italia, vendi ynë fqinj është i dyti në botë për prodhimin e vajit të ullirit pas Spanjës.

Rajoni i Pulias ka prodhimtarinë më të lartë, ndjekur nga Kalabria dhe Sicilia. Produktet italiane kanë ardhur edhe në Shqipëri dhe janë të përzgjedhur nga konsumatorët për shkak të vulës së besimit që përcjell “Made in Italy”. Por a është vërtetë për t’u besuar kur raportohet që 80% e vajit të ullirit Italian në tregjet botërorë është jo cilësor.

Tom Mueller është autor i Extra Virginity, librit best seller të New York Times që hodhi dritë mbi historinë dhe aktivitetet kriminale të lidhura me industrinë e vajit të ullirit. Mueller publikon një faqe interneti Truth in Olive Oil (E vërteta e vajit të ullirit) që këshillon konsumatorët mbi blerjen e vajit, tregon për shitësit dhe market më të mira dhe publikon emrat e markave që mashtrojnë klientët.

Mueller dha një intervistë për gazetarin Paul Glader të Forbes dhe tha që disa prej markave të mëdha Italiane të vajit të ullirit në të vërtetë janë Kineze ose Spanjolle. “Të qenit Italian krijon një imazh të caktuar kur shet vaj ulliri. Por në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për produkte italiane. Ata thjesht paketojnë vajin në Itali. Marka si Bertolli apo Filippo Berio e porosisin vajin gjetkë dhe i vendosin shënimin “Made in Italy.”

Nëse ai vaj është Italian, edhe unë jam nga Italia” tha ai. Gjatë intervistës, autori shpjegoi që kompania Bertolli (e njohur edhe në Shqipëri) në të vërtetë është në pronësi të një konglomerati Spanjoll të njohur si Gruppo Deoleo. Sipas tij, marka Filippo Berio në të vërtetë zotërohet nga një kompani kineze.

“Shumë prej këtyre kompanive nuk janë Italiane dhe as nuk shesin vaj të prodhuar nga ullinjtë e Italisë. Megjithatë, ata e shesin produktin sikur të jetë nga Italia. Konsumatorët janë përballë një loje marketingu, por se çfarë ka në shishe askush nuk e di” shpjegoi ai.

Sipas Mueller, nëse Grekët do të rrisnin shitjet e vajit të ullirit tek konsumatorët që dijnë të dallojnë produktet, atëherë ky do të ishte një vit ndryshimi, por deri më tani tregu Grek është akoma i pazhvilluar mirë . “Deri sa konsumatorët të mësojnë ndryshimin mes vajit të mirë dhe të keq, asgjë nuk do të ndrysjojë në treg” thotë Mueller.

Por si mund të dallojë konsumatori një vaj të mirë në supermarket? Sa para duhet të paguajnë për të pasur një vaj të mirë?

“Vaji i ullirit është si lëngu i portokallit. Ullinjtë janë fruta, kur i shtrydh nxjerrin vaj. Ju nuk e lini lëngun e portokallit në dollap të rrijë aty shumë gjatë, apo jo. Vaji i ullirit duhet të jetë i athët. Freskia është çelësi. Çdo gjë që kushton nën 10 dollarë litri duhet ta vësh në dyshim. Bëhet fjalë për një produkt të freskët që ndryshon çdo vit, ndaj nuk ka se si të jetë i lirë” shpjegoi ai.

Vaji i ullirit nga Italia, sidomos ai ekstra i virgjër ka qenë gjithmonë krenaria e bujqësisë në vendin fqinj. Në Itali numërohen 700,000 kompani aktive të prodhimit të vajit të ullirit, aktiviteti dhe reputacioni i të cilave vihet në dyshim sidomos nga disa marka të caktuara që shiten në treg sikur janë Italiane.

Mafia brenda kuzhinës

Dy muaj më parë, kanali amerikan CBS News publikoi një dokumentar të plotë me prova për përfshirjen e mafias në bujqësinë Italiane, sidomos në prodhimin e vajit të ullirit duke treguar që “Made in Italy” nuk është më një markë që ngjall besim.

“Bill Whitaker, korrespondent i CBS News that se mafia ka futur duart tek vaji i ullirit, djathi dhe vera Italiane duke kryer një krim të vërtetë për konsumatorët. Sipas ekspertëve të cituar në dokumentar “konsumatorët në shumicën e rasteve blejnë pa vetëdije një vaj ulliri të një cilësie shumë të ulët të maskuar si një vaj ekstra i virgjër. Ajo që po blejnë është thjesht një vaj me aromë në rastin më të mirë ose një vaj luledielli të përzier me ca pika klorofil që i jep atij ngjyrën e vajit të ullirit” i tha CBS News Sergio Tirro, një hetues Italian.

Sipas ekspertëve mafia kontrollon të gjithë prodhimin dhe marketimin e vajit të ullirit duke shitur vajin e Tunizisë apo të Turqisë si vaj 100% Italian. Në një operacion policor të koduar “Mamma Mia” policia italiane konfirmoi mashtrimin pasi zbuloi mijëra ton vaj të një cilësie skandaloze nga Spanja dhe Greqia që shitej si vaj ekstra i virgjër Italian.

Zbulohen 7 markat Italiane që mashtrojnë me vajin e ullirit

Lajmi më i keq që konsumatorët do të lexojnë është se shumë prej markave më të njohura të vajit të ullirit, në të vërtetë kryejnë një mashtrim dhe shesin vaj të një cilësie shumë të ulët. Të gjitha këto marka i gjeni në raftet e supermarketeve.

Në Nëntor të vitit të shkuar, konsumatorët Italianë u tronditën nga një skandal që përfshinte shtatë kompanitë më të njohura në vend për prodhimin e vajit të ullirit. Këto kompani ishin:

Bertolli, Carapelli, Santa Sabina, Primadonna, Coricelli, Antica Badia dhe Sasso. Hetuesit kishin zbuluar këto kompani kishin shitur vaj të një cilësie të ulët sikur të ishte vaji ekstra virgin i një cilësie të lartë duke i vënë produktit një çmim marramendës. Vaji ekstra i virgjër ka një ngjyrë ulliri të artë dhe pergatitet duke shtypur ullinjtë menjëherë pasi janë velur.

Vaji nuk përmban kimikatë dhe nuk i nënshtrohet asnjë procesi industrial. Por në rastet kur vjelja e ullirit nuk është në nivelet e duhura, kompanitë importojnë alternative më të lira dhe aspak cilësore nga Tunizia, Maroku, Spanja apo edhe nga Greqia dhe përziejnë produktet.

Një gjë e tillë u zbulua nga një tjetër hetim Italia, kësaj rradhe i vitit 2011. Ekspertët gjetën se katër nga pesë kompani që shisnin vaj 100% Italian, në të vërtetë shisnin vaj të përzier me alternativa më të lira dhe të importuara, një biznes mashtrimi që vazhdon dhe u jep kompanive një fitim marramendës prej miliardash në vit.