MBPZHR-ja krijoi 2500 vende të reja pune

0

fb11d495-ba4a-41cc-bba5-0c3f91bd4934

Gjatë këtij viti Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka vazhduar të implementojë politika programore në mbështetje të fermerëve të Kosovës, në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend, e po ashtu edhe në ruajtjen dhe menaxhimin më efikas të pyjeve të Kosovës.

Këto politika programore këtë vit kanë avancuar dhe normalisht kanë qenë të bazuara edhe në programin e  Qeverisë së Kosovës dhe në planet vjetore të punës. Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, në konferencën përmbyllëse të këtij viti, me ç’rast ai ka treguar se buxheti i këtij viti, i cili ka qenë dyfish më i madh se i vitit të kaluar, iu ka mundësuar që të rrisin dhe të zgjerojnë  përkrahjen për fermerët, si në skemën e granteve investive ashtu edhe në atë të pagesave direkte.

“Përkundër obligimeve të mëdha që na janë bartur nga viti i kaluar, që ka ardhur si pasojë e mungesës së rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar, janë 43 milionë euro të cilat gjatë këtij viti janë ndarë për fermerët e Kosovës, të bazuara në Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Programin për Pagesa Direkte, nga të cilat 20 milionë grante investive dhe 23 milionë kanë qenë të planifikuara për pagesa direkte”, deklaroi Krasniqi.

“Duhet theksuar se këto investime kanë gjeneruar 2500 vende të reja pune. E po ashtu ne presim që nga këto investime të kemi një rritje të dukshme të prodhimtarisë primare, veçanërisht në sektorët strategjik”, shtoi ministri Krasniqi.

Ndërkaq, sa i përket pagesave direkte, ai tregoi se përmes kësaj skeme kanë rritur shumën e mbështetjes pothuajse për të gjitha kulturat dhe gjitha skemat e mbështetjes përreth 50 për qind.

“Kemi pasur rritje të mbështetjes për grurin nga 125 në 150 euro, tek misri dhe luledielli nga 100 në 150 euro, pastaj tek lopët qumështore nga 50 në 70 euro, tek delet dhe dhitë nga 10 në 15 euro,e po ashtu kemi vazhduar subvencionimin e perimeve në fushë të hapur dhe për herë të parë kemi filluar edhe me subvencionimin e pemishteve ekzistuese. Po ashtu një risi e këtij viti ka qenë edhe subvencionimi i raportimit të gjedheve të therura. E krahas kësaj këtë vit i kemi realizuar me kohë gjitha pagesat dhe në total numri i fermerëve përfitues të pagesave direkte arrin në 36786 në gjithë Kosovën”, tha Krasniqi.

Një nga prioritetet dhe objektivat kryesore të këtij viti, sipas ministrit Krasniqi, ka qenë edhe rritja e prodhimit dhe kapacitetit përpunues, në funksion të zëvendësimit të importit dhe sipas shifrave të nëntëmujorit të marra nga Dogana e Kosovës, ai tha se krahasuar me vitin paraprakë vërehet një trend i zvogëlimit të importit veçanërisht tek ato prodhime ku ka pasur një rritje të prodhimtarisë. Po ashtu, ministri Krasniqi tregoi se gjatë këtij viti ka qenë evidente edhe një rritje e eksportit të prodhimeve bujqësore drejt tregjeve të huaja.