Në 2 muajt e fundit, cilësia e ajrit në Prishtinë ka qenë e ulët

0
Afternoon_in_Prishtina
Moti i cili gjatë javës së fundit ka përfshirë Kosovën, e sidomos pjesën qendrore të saj, ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit. Sikurse ka njoftuar Instituti Hidrometerologjik i Kosovës gjatë këtyre ditëve në Prishtinë ka mbretëruar një mot me mjegull të dendur (dukshmëri <30 m) dhe lagështi të lartë të ajrit mbi 85% si dhe me mungesë të erës.
Përveç kësaj, gjatë kësaj kohe është rritur edhe sasia e shkarkimeve të ndotësve në ajër sikurse janë industria, transporti dhe konsumimi i lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje.
Si rezultat i kësaj situate, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor thotë se ka rezultuar krijimi i gjendjes së smogut (i njohur ndryshe si smogu i Londrës) që është karakteristik për sezonin dimëror sidomos për muajt dhjetor- janar.
“Në këto kushte është konstatuar se përqendrimi i disa parametrave të cilësisë së ajrit sikurse është PM10, ka qenë me i lartë, që ka ndikuar që edhe cilësia e ajrit në Prishtinë të jetë jo e kënaqshme”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit, MMPH thotë se është konstatuar se gjatë periudhës monitoruese 01-09.12.2015 janë regjistruar tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.
Janë regjistruar 7 ditë (raste) me tejkalime të vlerave kufitare ditore, ndërsa gjatë një viti lejohen 35 ditë me tejkalime të vlerave kufitare ditore.
“Në këto raste rekomandohet që kategoria e ndjeshme (personat me probleme nga sëmundjet e organeve respiratore) të mos qëndrojnë gjatë në mjedise të tilla”, këshillon MMPH.
Po ashtu, MMPH thekson se duhet të reduktohen lëvizjet e panevojshme me automjete sidomos në zonat e frekuentuara nga këmbësorët.