Në Rahovec mbillen 2800 hektar me grurë

0

106-0621_IMG

Mbjelljet vjeshtore në komunën Rahovecit kanë vazhduar edhe pas afatit optimal agroteknik. Kjo ka ndodhur si pasojë e largimit të vonshëm nga ngastrat të kulturave lavërtarë pranverore si dhe perime kulturave, kjo ka ndikuar edhe në mos përgatitjen kualitative të tokës bujqësore për mbjelljen e grurit dhe kulturave tjera vjeshtore.

Lulzim Hasku, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Rahovecit, thotë se shumica e fermerëve për mbjellje kanë përdorur farën Apache e cila i është përshtatur kushteve tona agro klimatike.

“Mbjellja vjeshtore ka përfunduar në afatin e paraparë agroteknik, ndërsa mbjellja në shumicën e rasteve është kryer me dorë e jo me makina mbjellëse, çka ka ndikuar që fara të mos mbillet në thellësinë e duhur”, theksoi ai.

Drejtori Hasku thotë se nëse nuk do të ketë të reshura të shiut, ekziston rreziku për mos mbirje të farës së grurit në ato ngastra ku mbjellja është kryer me dorë dhe pas afatit optimal agroteknik për mbjelljen e grurit. “Ka pasur interesim të shtuar për mbjelljen e grurit për shkak të subvencionimit nga ana e MBPZHR Kurse sa i përket furnizimit me impute si farëra të grurit, fermerët kryesisht janë furnizuar me varietete siç janë Apache, Europa, Prima”, tregon ai.

Sa i përket kostos së shpenzimeve sipas drejtorit Lulzim Hasku, çmimi i lartë i derivateve të naftës dhe plehut mineral direkt ka ndikuar në rritjen kostos së shpenzimeve të mbjelljeve vjeshtore, posaçërisht çmimi i lartë i plehrave minerale ka ndikuar që fermerët e komunës së Rahovecit të mos e përdorin sasinë e duhur për plehërim vjeshtor para mbjelljes.

Në përgjithësi në komunën e Rahovecit janë mbjellë 2840 hektar kultura vjeshtore, ku edhe këtë vit dominon kultura e grurit me 2800 hektarë, qepë 20 hektarë, Spinaq 10 hektarë dhe të mbjella të tjera vjeshtore 10 hektarë. /Telegrafi/