Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Nikaj-Mërturi, perla e Alpeve Shqiptare (I) - Bujqesia.eu

Nikaj-Mërturi, perla e Alpeve Shqiptare (I)

0

Nikaj Merturi 5

Nikaj-Mërturi bën pjesë në rajonin verilindor dhe zë pjesën perëndimore të rrethit të Tropojës, në anën veriperëndimore të luginës së Drinit, duke u kufizuar në lindje përmes Majës së Korës dhe Qafës së Kolçit me komunën e Bujanit dhe të Fierzës dhe në perëndim përmes Qafës së Ndërmanjës dhe Qafës së Agrit me komunat e Shalës, Shoshit dhe Temalit, të rrethit të Shkodrës.

Qendra e komunës është në fshatin Lekbibaj, e cila është 27 km nga qyteti i Bajram Currit dhe 13 km nga Fierza. Popullsia e Nikaj Mërturit është rreth 2700 banorë, të vendosur në rreth 200 km 2, kryesisht në vendbanime të rralla e rurale. Në fillimvitet ‘90 kjo trevë kishte arritur në 9000 banorë të shpërndarë në 12 fshatra, por në regjistrimin e fundit del me më pak se 2700 banorë ose afro 60 përqind e banorëve kanë migruar brenda vendit.

Fshatrat e Nikaj Mërturit, thuhet në reportazhin e publikuar në Shqiptarja.com, janë të shpërndarë në të gjithë zonën, afër liqenit, lumenjve dhe disa edhe afër bjeshkëve, si Bëtosha, Brisa, Salca, Peraj, Vrana, Curraj Epër, Qereshi dhe Mulaj. Ato janë vendosur në çdo vend ku ka qenë e mundur të ndërtohet një shtëpi dhe të ketë edhe një copë tokë, si në maja kodrash, livadhe, por disa kulla janë ndërtuar edhe në shkëmbinj, kthyer me kurriz nga humnera për arsye mbrojtjeje nga sulmet e pushtuesve dhe gjakmarrja.

Si mund të arrijmë deri në Nikaj-Mërtur?

Në Nikaj-Mërturi shkohet përmes liqenit të Komanit me anije dhe ndalohet në stacionin që quhet Kodër Markaj, rreth 10 km pa shkuar në Fierzë. Përmes rrugës nacionale që kalon nga Qafa e Malit, duke u kthyer majtas në Fierzë dhe vazhduar sipas rrjedhës së Drinit.

Rruga nacionale që vjen nga Fierza, te Ura e Mërturit, ndahet në dy degëzime, njëra që vazhdon për në Lekbibaj, ku është edhe qendra e komunës, pastaj vazhdon për në fshatin Mserr ku ndahet për në Salcë dhe në Lugun e Ndërmanjës. Tjetra vazhdon bregut të lumit për në Shëngjergj, kalon afër Bëtoshës dhe vazhdon nëpër rrugën shekullore të Pultit të Vjetër, për në Qafën e Kolçit e lidhet me Tropojën (Malësinë e Gjakovës).

Çfarë ofron kjo krahinë e Alpeve të veriut?

E ndodhur midis bjeshkëve dhe majave të larta, është një zonë shumë e veçantë ku shfaqen dhe ndërthuren kontraste të papara, ku përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peisazhit, e kaluara e lavdishme dhe e sotmja që po ndryshon.

Nikaj MErturi 4

Zona përshkohet tej për tej nga dy lumenj: lumi i Currajve dhe i Vranës e që burojnë nga bjeshkët e larta me ujë të pijshëm që nga burimi e deri ku bashkohen për t’u derdhur në lumin Drin. Nuk ka fshat që nuk i ka nga dy, tre e më shume kroje me ujë të pijshëm, që për nga pastërtia pa dyshim që do të konkurronin çdo ujë në botë, pasi secili prej tyre zanafillën e ka nga bjeshkët e larta, ku bora e re pushon mbi borën e vjetër. Pjesa më e madhe e zonës është me pyje e kullota, pasi toka bujqësore e përdorur për mbjellje është e vogël, por është interesant fakti që shumica e saj ndodhet nën vadë.

Peisazhi natyror është i paimagjinueshëm, me monumente natyrore të shumta e të rralla. Pyjet me gështenja krijojnë kurora të mrekullueshme rreth e rreth fshatrave, sidomos në fshatin e Lekbibajve apo në Markaj, Tetaj etj, frutet e të cilave konkurrojnë në çdo treg.

Arra dhe lajthija përbëjnë një tjetër pasuri që natyra ia ka falur Nikaj-Mërturit, sidomos lajthia, e cila vende-vende formon edhe pyje të tëra, si p.sh në fshatin Qeresh, ku e gjithë kurora e këtij fshati deri në Qafën e Qereshit dhe përreth saj është e formuar nga pyje lajthish. Trofta e lumenjve të Nikaj-Merturit, mjalti, si dhe prodhimet blegtorale, të gjitha organike janë shumë cilësore.