Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Perikarditi traumatik tek kafshët. - Bujqesia.eu

Perikarditi traumatik tek kafshët.

0

skelet

Perikarditi traumatik është pezmatimi i cipës së perikardit, nga veprimi mbi të i trupave të huaj metalikë me aftësi shpuese. Ai më shumë konsiderohet si ndërlikim i retikulitit traumatik i shkaktuar nga trupa të huaj të mprehtë.
Shkaqe, të perikarditit mund të jenë plagët e hapura në kraharor nga goditje me mjete të mprehta (si copa druri, pjesë metalike), dëmtime e thyerje të brinjëve (copëzat e tyre të mprehta plagosin perikardin), etj. Shkaqe më të shpeshta të dëmtimit të cipës së perikardit janë trupat e huaj metalikë, si: Tela gozhdë, gjilpëra, etj. Kalimi i trupave metalikë për në perikard favorizohet si nga pozicioni anatomo-topografik i zemrës (afërsia e saj me retikulin), po ashtu dhe nga gjendja fiziologjike e parastomaqeve dhe barsmëria.
Sëmundja ndeshet si në kafshë me regjim kullosor edhe në ato me regjim stallor e sidomos në lopë me prodhimtari të lartë ku shpesh ndodhin devijime të metabolizmit të lëndëve të cilat manifestohen me dukurinë e allotriofagisë e cila bën që lopa së bashku me ushqimin të marri edhe sende të tjera midis të cilave edhe trupat metalikë.
Nga procesi pezmatues që ndodh në cipat e perikardit ato ënjten dhe trashen. Në perikard pengohet rrëshqitja e lirë e fletëve të tij gjatë tkurrjeve të zemrës dhe te kafsha shfaqen dhimbje. Në vazhdim mbaresat nervore të zemrës ngacmohen dhe shfaqet takikardi dhe aritmi. Grumbullimi i eksudatit në perikard, pengon aktin diastolik dhe ardhjen e gjakut venoz në atriume e ventrikula. Kjo bën që të ngadalësohet rrjedhja e gjakut në vena (stazë) gjë që shoqërohet me rritjen e presionit venoz, fryrjen e venës jugulare, pakësimin e volumit sistolik dhe shfaqen e edemave. Nga grumbullimi i eksudatit tonet e zemrës dobësohen dhe duken sikur dëgjohen nga larg. Depozitimi i fibrinës në cipat e perikardit shkakton trashjen, madje dhe ngjitjen në disa pjesë të tyre. Perikardi i zmadhuar bën presion edhe mbi mushkëritë duke shkaktuar pengesë në qarkullimin e gjakut dhe vështirësi në frymëmarrje. Gjatë procesit pezmatues formohen dhe mjaft toksina të cilat duke kaluar në gjak shkaktojnë ethe.
Fillimisht vërehen shenja të retikulitit traumatik (mungesë oreksi, rënkime, ecje e kujdesshme, ulje e prodhimit të qumështit, hipotoni e parastomaqeve, etj.). Në rajonin e shpatullave konstatohen dridhje të shpeshta e ritmike të muskulaturës, kafsha largon pak brylat anash dhe gjatë uljeve dhe ngritjeve rënkon dhe kërcet dhëmbët. Në palpim të rajonit të zemrës kafsha ndjen dhimbje. Kujdes! se kur grumbullohet eksudat në qeskën perikardiale si në palpim edhe perkutim nuk ka dhimbje. Sëmundja në fillim shoqërohet me temperaturë të lartë (40 – 41 °C), rritje të pulsit (90 – 130 të rrahura në minutë). Pulsi bëhet i vogël. Në auskultim të zemrës në fillim të sëmundjes dëgjohen zhurma fërkimi si rrjedhojë e fërkimit të fletëve të perikardit. Më vonë me grumbullimin e eksudatit, zhurmat e fërkimit zhduken dhe zëvendësohen nga zhurma llokoçitëse si pasojë e lëvizjes së eksudatit gjatë punës së zemrës. Këto zhurma janë sinkron (në të njëjtën kohë) me punën e zemrës. Shenjë karakteristike është dhe fryrja e venës jugulare e cila më vonë pasohet me shfaqen e ënjtjeve në gushë, gjoks, gjymtyrë dhe bark.
Tonet e zemrës në fillim dëgjohen të fortë, trokitës, më vonë me grumbullimin e eksudatit ata dëgjohen si nga larg. Kafsha bën lëvizje të kujdesshme, qëndron në pozicione që ja lehtësojnë dhimbjen duke vendosur pjesën e parë të trupit më lart. Në të përpjetë ecën me lehtësi, kurse në tatëpjetë me shumë vështirësi.
Gjatë uljes dhe ngritjes kafsha rënkon. Lopa e sëmurë, kur ulet, në fillim, përkul gjymtyrët e pasme, kurse kur ngrihet mbështetet në gjymtyrët e para pastaj të pasmet. Kjo lloj ngritje është karakteristike për njëthundrakët. Ky ndryshim në ulje dhe ngritje ndodh për të mënjanuar presionin e organeve të barkut mbi diafragmën dhe zemrën. Në analizat e gjakut vërehet shtimi i leukociteve (leukocitozë). Numri i tyre arrin deri 20.000 leukocite për 1 mm3 gjak.
Diagnoza e perikarditit traumatik nuk është shumë e vështirë për t’u vendosur. Vështirësi vërehen në fazat e para të zhvillimit të sëmundjes. Anamneza, shenjat klinike të qarta dhe analizat ndihmëse hematologjike, lehtësojnë shumë vendosjen e diagnozës së sëmundjes.
Mjekimi dhe masat parandaluese. Kafsha e sëmurë veçohet dhe vendoset në vend tëqetë dhe të ajrosur mirë. Nëse te ajo ruhet oreksi, i jepet ushqim me porcione të vogla dhe në përbërje të racionit ushqimor nuk përfshihen ushqimet voluminoze. Sasia ditore e ujit pakësohet.Kur procesi ndodhet në fillim, rekomandohet të kryhet rumenotomia e cila siguron heqjen e trupit të huaj, kur një pjesë e tij ndodhet akoma në retikul. Në gjedhët me edema ventrale të mëdha dhe dobësi tëzemres, nuk rekomandohet nderhyrja kirurgjikale.
Ne fazat e para perdoren antibiotike me spekter te gjere veprimi dhe me uljen e temperatures kafsha rekomandohet te theret. Sipas literatures dhe kryerja e perikardocentesis te pasuar me drenazh. Per parandalimin e sëmundjes është e këshillueshme që personeli që i shërben kafshëve të mos mbajë me vete gjilpëra, karfica, etj., të cilat mund të bien në stallë dhe kafsha t’i marrë së bashku me ushqimin.
Zinxhirët që lidhen kafshët kur këputen mos lidhen me tela, dengjet e barit apo kashtës mos lidhen me tela në të kundërtën ato para se t’i jepen kafshëve të kontrollohen mirë nga punonjësit e blegtorisë. Ushqimet e koncentruara që vijnë nga industria çdo ditë të kontrollohen për trupa të huaj. Kafshët nuk duhen lejuar të kullosin afër vendeve ku bëhen ndërtime, kovaçhanave, etj.