Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 PERITONITI TE KAFSHET - Bujqesia.eu

PERITONITI TE KAFSHET

0

Peritoniti është pezmatimi i cipës seroze që mbështjell nga brenda si muret e barkut ashtu dhe të gjithë organet e kësaj zgavre.

peritoniti
Ai mund të jetë i kufizuar ose i përhapur. Sipas kohëvazhdimit peritoniti është akut (që është karakteristik për kuajt) dhe kronik (që vërehet më tepër te gjedhi), ndërsa sipas origjinës parësor dhe dytësor. Si sëmundje parësore peritoniti vërehet shpesh te kuajt dhe më rrallë te kafshët e tjera. Me origjinë dytësore ai takohet kryesisht në kuaj, gjedhë, derra dhe shpendë.
Shkaqet
Pezmatimi i peritoneumit më shpesh ndodh nga traumat, ndërhyrjet kirurgjikale, etj. në zgavrën e barkut. Peritoniti mund të ndodhë gjatë retikulitit traumatik, çarjes së stomakut, zorrëve, vagjinës, mitrës, fshikëzës së urinës e 76 tëmthit, plagët penetruese, etj. Në lopë përveç shkaqeve të mësipërme ndodh dhe gjatë proceseve pezmatuese në vezore (gjatë manipulimeve jo të rregullta). Peritoniti, madje i formës difuze, mund të ndodhë dhe gjatë çarjes së abscesit që ndodhet në mëlçi dhe rrjedhjes së materialit qelbëzor në kavitetin peritoneal.
Procesi fillon me hiperemi të cipës së peritoneumit. Pas hiperemisë, mbi peritoneum fillon e shfaqet eksudat, në fillim në sasi të vogël e më vonë, duke u shtuar, përhapet në të gjithë peritoneumin, duke shfaqur peritonitin e përhapur. Toksinat mikrobike që lindin ngacmojnë mbaresat nervore dhe te kafsha shfaqen dhimbje barku. Lëndët helmuese që qarkullojnë në gjak shkaktojnë edhe çrregullime në organet e tjera të organizmit.
Kafsha si rrjedhojë e dhimbjeve në fazën fillestare të pezmatimit, qëndron në këmbë, pa lëvizur, ose lëvizjet i bën të kujdesshme. Gjatë peritonitit mund të ndodhin edhe ngjitje me organet fqinje. Peritoneumi i inflamuar bëhet gjithashtu më i kalueshëm ndaj toksinave të cilat bien në rymën e gjakut, çrregullojnë qendrën e rregullimit termik dhe te kafsha e sëmurë shfaqen ethe.
Shenjat klinike
Kafsha e sëmurë nuk ha dhe ri e karavatur. Gjendja e përgjithshme e saj është e keqe. Kafsha ka temperaturë të lartë dhe të qëndrueshme, puls të shpejtë dhe gjatë defekimit ajo ka dhimbje. Në fillim të sëmundjes kafsha ka dhimbje barku dhe qëndron pa lëvizur ose lëviz me shumë përtesë, shikon barkun dhe rënkon. Gjatë dhimbjeve kuajt mund të shtrihen por qëndrojnë pak kohë, kafshët e vogla qëndrojnë shtrirë për shumë kohë, kurse gjedhi në përgjithësi nuk shtrihet. Te kafsha e sëmurë tipike është forcimi i barkut, etj.
Me grumbullimin e eksudatit barku zmadhohet, në auskultim dëgjohen zhurma llokoçitëse, peristaltika e zorrëve ulet, dhimbjet e mureve të barkut gjatë palpimit pakësohen. Te gjedhi vërehet dhe atoni e parastomaqeve. Te derrat dhe veçanërisht te qentë gjatë peritonitit vërehen dhe shenja nauzeje dhe vjellje. Në rastet kur peritoniti ka për shkak çarjen e stomakut dhe derdhjen e përmbajtjes në peritoneum, zakonisht infeksioni ka zhvillim të vrullshëm, shfaqet peritonit i përhapur dhe kafsha brenda disa orëve mund të ngordhë.
Diagnoza, vendoset mbi bazën e anamnezës, shenjave klinike të cilat janë mjaft të qarta, analizave të gjakut dhe të analizës së lëngut peritoneal që merret nëpërmjet punksionit të abdomenit. Duhet bërë kujdes që peritoniti të diferencohet nga grumbullimi i ujit në bark (ashitin). Gjatë ashitit kafsha nuk ka dhimbje barku, temperatura e trupit është në normë, ndryshon vetëm natyra e përmbajtjes së lëngut (në peritonit është eksudat, në afshit transudat).
Mjekimi dhe masat parandaluese
Kafsha e sëmurë vendoset në dietë urije, në stallë të qetë, të pastër dhe me ventilacion të mirë. Për stabilizimin e kafshës rekomandohet dhënia në sasi të mëdha e lëngjeve izotonike. Përdorimi i tretësirës hipertonike dhe klorurit të natriumit ndikon pozitivisht në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Për qetësimin e dhimbjeve të barkut përdoren qetësues si novalginë tretësirë 50 % intramuskular, vetalginë ampul, etj.
Për luftimin e infeksionit, duhet të fillojë sa më shpejt mjekimi me antibiotikë me spektër të gjërë veprimi intravenoz ose intramuskular. Më parë bëhet prova e ndjeshmërisë antibakteriale (antibiograma). Përdorimi i tetraciklinës ose beta laktamit (cefalosporinë e brezit të tretë ose penicilinë sintetike) ndoshta do të ishte zgjedhja më e mirë për mjekimin e kafshës me peritonit.
Me rezultate të mira përdoren dhe penicilina, streptomicina, kanamicina, gentamicina, sulfamidet, etj. Me rrugë kirurgjikale bëhet përpunimi i plagëve, rregullimi i çarjeve të mundshme të organeve të brendshme, etj. Kujdes duhet bërë për normalizimin e peristaltikës së zorrëve dhe përmirësimin e punës së zemrës me kofeinë, metrazol, etj. Zgjedhja e mjekimit duhet të ketë në konsideratë koston e tij.
Për parandalimin e peritonitit duhet patur parasysh që gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale të respektohen të gjitha rregullat e aseptikës dhe antiseptikës. Plagët në rajonin e barkut duhen mjekuar në kohë dhe mirë.