Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Plasaritja e frutave të domates. - Bujqesia.eu

Plasaritja e frutave të domates.

0

Plasaritja redukton cilësitë tregtare të frutave dhe mundëson depërtimin në ta të insekteve dhe të kërpudhave duke shkaktuar në këtë mënyrë humbje të konsiderueshme. Ekzistojnë tipe të ndryshme të plasaritjes së frutave të domates; gjatësore, në formën e rrathëve koncentrikë, radiale (në formën e yllit), të çrregullta, etj.

domatja

Plasaritja e frutave te domates
Megjithëse plasaritja e frutave në domate është evidentuar që nga viti 1930 dhe seleksionerët kanë përfshirë në genomën e shumë kultivarëve modernë gene të qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt plasaritjes (çarjes) së frutave, shumë pak është arritur për të kuptuar mekanizmat fiziologjikë të këtij fenomeni.

Megjithatë, janë evidentuar një numër i konsiderueshëm faktorësh të mjedisit, të kultivimit dhe të ndërtimit anatomik të frutit në të cilët fenomeni shfaqet në një shkallë më të lartë. Plasaritja frutave është tentuar të shpjegohet nga teori të ndryshme, pa mundur dot asnjëra prej tyre të japë më vete përgjigje të plotë të fenomenit.

Teoria 1

Ujitje të çrregullta, sidomos kur pas një thatësire të zgjatur ujitet me doza të larta uji, shkaktojnë plasaritjen e frutave.
Ky është shpjegimi që jepet shpesh për të shpjeguar plasaritjen e frutave në domate dhe në mollë. Përmbajtja e lartë e ujit në tokë zvogëlon forcat tërheqëse (tensionin) e cipës së frutit. Si pasojë e kësaj, fruti rritet me shpejtësi dhe ndërkohë në cipën e tij krijohen shumë plasaritje të vogla (mini plasaritje), të cilat në një etapë të dytë bëhen të dallueshme me sy. Në kushtet e përmbajtjes së kufizuar të ujit në tokë, tensioni i cipës së frutit është më i lartë. Si rezultat, frutat rriten më ngadalë dhe kanë më pak mini plasaritje. Në të vërtetë, ndryshimet e shpeshta të përmbajtjes së ujit në tokë nga e ulët në të lartë dhe anasjelltas e bëjnë cipën e frutave më pak të qëndrueshme se sa rritja në çfarëdo niveli konstant të përmbajtjes së ujit në tokë. Ndryshime të tilla janë tipike kur thatësira të zgjatura shoqërohen nga ujitje ose shira të rënda.

Teoria 2

Temperatura dhe ndriçimi i lartë shkaktojnë plasaritjen e frutave.

Si në kushtet e kultivimit në sera ashtu edhe në fushë të hapur, piku i plasaritjeve korrespondon me pikun e temperaturave të larta. Temperaturat e larta në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë, rritja e menjëhershme e temperaturës në mesditë, shkaktojnë plasaritjen e frutave të skuqur. Shpjegimi i këtij fenomeni është bërë shumë kohë më parë. Rritja e temperaturës së frutit, rrit në mënyrë dramatike presionin e ushtruar nga tuli i frutit në cipën e tij dhe në të njëjtën kohë zvogëlon elasticitetin dhe qëndrueshmërinë e cipës së frutit, duke influencuar në këtë mënyrë në rritjen e shkallës së plasaritjeve në të.
Hijezimi i plotë i bimëve mund të reduktojë, por nuk eliminon plotësisht plasaritjen e frutave. Sidoqoftë, intensiteti i fotosintezës dhe niveli i sheqernave në frut mund të reduktohen nëpërmjet hijezimit dhe në këtë mënyrë hijezimi influencon indirekt në plasaritjen e frutave.
Uji lëviz nga pjesë me përqendrim të ulët të sheqernave drejt atyre me përqendrim më të lartë të sheqernave. Sa më i lartë të jetë përqendrimi i sheqernave në frut, aq më e madhe do të jetë tendenca e ujit për të lëvizur nga kërcejtë dhe gjethet në brendësi të frutave. Për pasojë presioni i ushtruar në cipën e frutit do të jetë më i lartë dhe sasia e frutave të plasaritur më e lartë.

Teoria 3

Veçori të ndërtimit anatomik të frutit mund të favorizojnë plasaritjen. 

Si forca e lartë tërheqëse e cipës (tensioni) ashtu edhe elasticiteti i saj në fazën e pjekjes së frutave janë të rëndësishme për të siguruar qëndrueshmërinë e frutave ndaj plasaritjes. Kultivarët rezistentë zotërojnë të paktën njërën nga këto karakteristika.
Karakteristika të tjera të frutit që shoqërojnë rezistencën ndaj plasaritjes janë: madhësia e vogël, cipa e trashë, shtresë e trashë e kutikulës në cipë, diametri i vogël i frutit, numri i madh i frutave në bimë dhe forma gjysmë determinante e rritjes së bimëve.
Forma dhe madhësi të caktuara të frutit favorizojnë plasaritjen e frutave. Ndërsa fruti rritet, streset fizike në cipën e tij rriten dhe në zonat ku këto strese janë më të fuqishme shfaqen plasaritje. Në frutat e domates streset më të fuqishme hasen në zonën përreth vendit ku fruti lidhet me bishtin e tij. Sidoqoftë, herë-herë plasaritjet nuk vërehen në këtë zonë, por në zonën që përfshihet midis dhomëzave të frutit.

Teoria 4

Rritja shumë e shpejtë e frutave shkakton plasaritjen e tyre.

Në frutat e domates mungon zhvillimi sekondar i mureve të qelizave. Për këtë arsye e vetmja mundësi për të ndërprerë zmadhimin e frutave është rregullimi i presionit të ujit në frut. Frutat që rriten me shpejtësi janë veçanërisht të predispozuar të plasariten. Zvogëlimi i numrit të frutave të plasaritur në bimët me shumë fruta duhet të jetë rezultat i konkurrencës midis tyre për karbohidrate, e cila nga ana e saj çon në reduktimin e ritmeve të rritjes së frutave.
Frutat që tërheqin më shumë asimilate janë ato që plasariten më shumë. Sa më pak fruta që të ndodhen në një bimë, aq më i madh do të jetë numri i atyre të plasaritur. Prerja e majave të bimëve, heqja e sqetulloreve, zvogëlimi i vlerave të konduktivitetit elektrik të solucionit ushqimor, zgjerimi i distancave të mbjelljes midis bimëve janë që të gjithë faktorë që favorizojnë plasaritjen e frutave.
Autorë të ndryshëm pohojnë se përqindja e frutave që pësojnë plasaritje radiale është më e lartë në fund të sezonit, kur në bimë gjenden më pak fruta. Kjo është e vërtetë si në fund të sezonit të pranverës, kur temperatura dhe ndriçimi janë të larta, ashtu edhe në fund të atij të vjeshtës kur si temperatura dhe ndriçimi janë të kufizuara.

Teoria 5

Disa kultivarë plasariten më shumë se të tjerët për shkak të ndryshimeve në përbërjen e tyre gjenetike.

Diferencat midis kultivarëve të ndryshëm për sa i përket qëndrueshmërisë së tyre kundrejt plasaritje së frutave janë të dallueshme, por ndërkohë ende nuk janë të qarta bazat fiziologjike të këtyre diferencave. Siç është shpjeguar në teorinë 3, qëndrueshmëria e cipës së frutit dhe frutat e vegjël ofrojnë qëndrueshmëri më të lartë ndaj plasaritjes.

Një faktor tjetër me influencë është arkitektura e bimës. Hijezimi i frutave nga gjethet e bimës mendohet të jetë faktor që influencon në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre kundrejt plasaritjes. Supozohet që hijezimi redukton temperaturën e frutave gjatë ditëve të nxehta dhe në këtë mënyrë edhe bymimin e frutave. Eliminimi i sqetulloreve gjithashtu rrit numrin e frutave të plasaritur dhe prandaj besohet se kultivarët me bujshmëri vegjetative janë më të qëndrueshëm.
Megjithëse janë shënuar përparime të rëndësishme nga gjenetistët në rritjen e qëndrueshmërisë së bimëve kundrejt plasaritjes, fenomeni ende nuk është i spjegueshëm plotësisht. Tipe të ndryshme të plasaritjes janë ndoshta të kontrolluara nga gene të ndryshme. Edhe nëse merret në konsideratë një tip i vetëm i plasaritjes, përsëri seleksionimi i drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë ndaj saj është i vështirë sepse janë shumë gene përgjegjës për manifestimin e këtij tipari, trashëgueshmëria është e ulët dhe influenca e mjedisit është e lartë.

Teoria 6

Diferencat e mëdha të temperaturave ditë-natë favorizojnë plasaritjen.

Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës natë-ditë shkakton plasaritjen e frutave. Ftohja gjatë natës shkakton tkurrjen e frutave. Kjo tkurrje shoqërohet me largim dhe kondensim të ujit në sipërfaqen e frutit, apo edhe të vetë bimës.

Ndërsa temperatura e ambientit rritet gjatë ditës dhe frutat ngrohen nga dielli, në brendësi të tij krijohen tensione të cilat ushtrojnë presion mbi cipën e papërshkueshme të frutave. Për pasojë, sa më të mëdha të jenë diferencat ditë/natë të temperaturës, aq më të mëdha do të jenë streset që do të pësojnë cipat e frutit.

Teoria 7

Lagështia e lartë ajrore favorizon plasaritjen.

Lagështia e lartë ajrore, ose ndryshimet e mëdha ditë-natë të saj mund të shoqërohen me rritje të numrit të frutave të plasaritur. Lagështia e lartë ajrore në serë rrit numrin e frutave të plasaritur sidomos në kushtet e temperaturave të larta. Efekti i lagështisë në plasaritjen e frutave është ndoshta i lidhur me shtimin e presionit të gazrave dhe të ujit në frut. Cipa e frutit të domates është në masën 97 % e papërshkueshme nga gazrat.

Ndërsa presioni i ujit dhe gazrave në frut rritet si pasojë e rritjes së temperaturës, apo të shtimit të furnizimit me ujë, rruga e vetme për të eliminuar këtë presion është zgjerimi i cipës së frutit, ose kthimi mbrapsh i ujit nga fruti në bimë. Rikthimi i ujit në bimë është vështirë të realizohet sepse presioni rrënjor është shumë i lartë.

Në të tilla kushte edhe nëse plasaritja nuk ndodh menjëherë, dobësohet kutikula dhe mund të krijohen plasaritje të imta të cilat më vonë bëhen të dukshme.
Në përfundim mund të thuhet se probabiliteti më i lartë i shfaqjes së plasaritjeve është kur kultivarë që normalisht formojnë shumë fruta kanë pak të tillë.

Gjithashtu, plasariten shumë frutat që kanë përqindje të lartë të asimilateve të tretshme dhe janë të ekspozuar në dritë direkte diellore. Në aspektin e teknologjisë së kultivimit, praktika të tilla që favorizojnë rritje të shpejtë të frutave, si mbjellja me distanca të mëdha, konduktiviteti i ulët elektrik i tretësirës ushqyse, heqja e sqetulloreve dhe e disa frutave, favorizojnë plasaritjen.

Gjithashtu, favorizojnë plasaritjen kushte të atilla rritjeje që ofrojnë sasi të mëdha karbohidratesh, si edhe temperaturat e ulta gjatë natës të shoqëruara me temperatura dhe lagështi ajrore të lartë gjatë ditës.

Lagështia e madhe ose e ulët në tokë, e shoqëruar me rritje të menjëhershme të lagështisë në fazën e pjekjes së frutave, si edhe prania e zgjatur e ujit në formën e pikëzave në sipërfaqe të frutave gjithashtu favorizojnë plasaritjen e tyre.