Prodhimet blegtorale shënuan rënie, e ato bimore rritje për këtë tremujor

0

organic-agriculture

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi”.

Publikimi përfshin të dhëna prej muajit prill deri në qershor të vitit 2015. Për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e dytë (TM2) të viteve 2010 – 2015.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Kurse, në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale.

Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Në tremujorin e dytë të vitit 2015 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për 8.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 9.2% në tremujorin e dytë të vitit 2015, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Ndërkaq, indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rënie për 3.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.