Prodhuesi i qumështit rrit kapacitetet nga 150 litra në 17 mijë

0

Sharri

Industria e prodhimit të qumështit “Sharri” u themelua në vitin 2001 në Prizren me vetëm 3 të punësuar. Sot, pesëmbëdhjetë vite më pas kjo kompani ka 30 të punësuar.

“Sharri” ka filluar me 150 litra në ditë për ta shumëfishuar prodhimin në 17 mijë litra sa ka sot prodhim ditor.

Sipas menaxherit Nderim Halimi e gjithë kjo është bërë duke u mbështetur vetëm në kapital dhe forca vetanake.

“Misioni ynë është që produktet tona të arrijnë në nivelin më të lartë të kualitetit”, thotë Halimi.

Ai tregon se aktualisht “Sharri” furnizon me produkte qumështi vetëm tregun e Kosovës.

“Por, synojmë që produktet tona në një të ardhme të afërt të jenë edhe në tregun ndërkombëtar”.

Sipas tij “Sharri”, synon që të fillojë edhe me produktet tjera që mungojnë në Kosovë. Por, për të arritur këtë synim, Halimi thotë se nuk ka lehtësim doganor të lëndës së parë.

“Janë disa produkte që mungojnë në Kosovë. Ne kemi planifikuar që të fillojmë me produktet që i mungojnë tregut të Kosovës, por për shkak të mungesës së lehtësimit doganor ende nuk kemi filluar”.

Sipas Halimit lënda e parë e produkteve duhet të lirohet, pasi që po vështirëson zgjerimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve.

Sikurse shumë prodhues tjerë, edhe Halimi mendon se institucionet qendrore dhe ato lokale nuk interesohen për bizneset private.

“Vetëm një herë e kam marrë një grant simbolik nga Ministra e Bujqësisë”, thotë ai.

“Përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit, asnjëherë nuk më kanë vizituar”.

Në anën tjetër zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha thotë se institucioni që përfaqëson ndihmon me politika lehtësuese bizneset private.

“Komuna është punëdhënësi më i madh për bizneset dhe ndihmon edhe me politikat e lehta administrative“, thotë Berisha.

Në mesin e muajit maj Klubi i Prodhuesve të Kosovës kishte organizuar një tryezë me temën “Sfidat e Industrisë së Qumështit në Kosovë”, ku u tha se sektori i prodhimit të qumështit në vend vazhdon të mbetët në krizë dhe i dëmtuar si pasoj e rritjes së importit nga vendet ndryshme.

“Kemi import enorm të produkteve me yndyrë bimore , është për keqardhje që nuk po shfrytëzohet vullneti i njerëzve dhe nuk po shfrytëzohen kapacitetet e prodhuesve tanë. Në këtë gjendje si jemi sektori i qumështit nuk mund të zhvillohet derisa nuk ka masa mbrojtëse për qumështarët”, ka thënë gjatë kësaj konference kryetari i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj.

Lidhur më këtë Vezir Januzaj, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tha se nga viti 2008 e deri më tani Ministria përmes granteve në mbështetje edhe të USAID-it ka ndarë rreth 40 milionë euro grante dhe subvencione për përpunuesit e qumështit.

Sipas tij vetëm këtë vit janë ndarë 10 milion euro për sektorin e qumështit.

Në anën tjetër, Muhamet Mustafa, deputet në Parlamentin e Kosovës, tha se duhet të gjinden masa të integruara në mënyrë që të rritet aftësia konkurruese e kësaj industrie pasi sipas tij rreth 40 % e qumështit importohet.

Në tryezën e prodhuesve të qumështit ishte edhe Valdet Gjinovci, kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili tha se cilësia e qumështit në Kosovë është e kënaqshme.

“Cilësia është për lakmi falë fermerëve. Qumshti vendor është konkurrent jo vetëm me vendet e rajonit por edhe me gjerë”, deklaroi Gjinovci. /prizrenpress.com