Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Prodhuesit apo tregtarët më të favorizuar? - Bujqesia.eu

Prodhuesit apo tregtarët më të favorizuar?

0

TREGRAET

Shoqatat ekonomike në Kosovë po kritikohen nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të kompanive se nuk po mbrojnë aq sa duhet interesat e bizneseve prodhuese. Deri më tani, thonë ata, këto shoqata ekonomike në Kosovë nuk kanë arritur që t’i shtyjnë autoritetet e Kosovës të miratojnë pakot fiskale të cilat do të ishin në favor të prodhuesve dhe jo tregtarëve.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim thotë se është shqetësues fakti kur shoqatat ekonomike më shumë ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave të bizneseve tregtare sesa për ato prodhuese.
“Fatkeqësisht, sektori më i zhvilluar në Kosovë është sektori i tregtisë dhe jo siç do të duhej të ishte sektori i prodhimtarisë. Dhe, kjo po reflektohet edhe te përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe anëtarët që ata i kanë, e që kryesisht janë kompani të fuqishme tregtare, të cilat në fakt i mbrojnë interesat e tyre”, thotë Gashi.
Një fatkeqësi tjetër, sipas tij, është se përfaqësuesit e biznesit kanë qenë më të afërt me politikën sesa që kanë qenë të afërta me kompanitë prodhuese, gjë që ka dëmtuar interesat e këtyre të fundit.
Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë. Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë se nuk është i kënaqur me punën e shoqatave ekonomike.
“Numri i madh i këtyre odave dhe shoqatave, nuk e justifikon punën e tyre. Por, edhe ne si prodhues nuk jemi unikë në çështjen e këtyre problemeve”, shprehet Palushi, i cili shton se shoqatat më shumë kanë folur për problemet e prodhueseve sesa që kanë arritur t’i zgjidhin.
Në Kosovë veprojnë disa shoqata ekonomike që për mision kanë mbrojtjen e bizneseve. Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Amerikane, Oda Gjermane, Oda Tregtare Turke dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, janë disa nga shoqatat ekonomike që veprojnë në Kosovë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, nuk pajtohet me atë se mbrojnë më shumë bizneset tregtare se ato prodhuese.
“Gjatë gjithë viteve qëkur ekziston Aleanca Kosovare e Biznesit, asnjë aktivitet nuk e ka pasur që promovon ndonjë prodhim të huaj, përveç kompanive prodhuese vendore”, thekson Shahini.
Nga 10600 anëtarë sa ka Aleanca Kosovare e Biznesit, Shahini thotë se mbi 70 prej tyre janë biznese përpunuese dhe prodhuese.
Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të kompanive prodhuese thonë se kjo mos mbrojtje e duhur nga shoqatat ekonomike paraqet një të metë për prodhimin vendor, pasi që, siç thonë ata, zëri i tyre nuk po dëgjohet nga Qeveria apo nga organet vendimmarrëse. /REL/