Rregullohet shtrati i lumit në Gadime dhe hyrja në Shpellë

0
gadime
Të mërkurën në Gadime të Lipjanit do të inaugurohet projekti – rregullimi shtratit të lumit që përshkon këtë fshat si dhe hyrjen në Shpellën e Mermertë, bëri të ditur Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.
Ky projekt është pjesë e programit “Kosova e bukur”, i cili mbështet komunat në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe sociale, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e tyre, mirëpo edhe me qëllim të krijimit të vendeve të punës afatshkurtra për të papunësuarit për një kohë të gjatë në Kosovë.
Qëllimi i këtij projekti është të rritet zhvillimi i turizmit në fshatin Gadime në rrethinën e Shpellës së Mermerit, që ndodhet në këtë fshat, transmeton Koha.net. Me këtë projekt janë ndërtuar muret e shtratit të lumit, shtigjet për ecje përgjatë lumit, hapësira dhe zyra për bileta në hyrje të Shpellës së Mermerit, zona e gjelbër si dhe do të instalohen ndriçimi publik, stolat dhe shportat për hedhurina.
Ky projekt është implementuar gjatë periudhës prill-tetor 2015. Për implementimin e tij janë shpenzuar 236,032 euro (përfshirë këtu 43,527 euro kontribut i Komunës së Lipjanit).
Ndikimi i këtij projekti në punësim, sipas njoftimit për medie, është si në vijim: janë krijuar gjithsej 67 vende pune, përfshirë 56 persona të regjistruar si të papunësuar për një kohë të gjatë në Qendrën për Punësim.