Rritet për 6 % eksporti i produkteve bujqësore të Kosovës

0

Memli Krasniqi, Landwirtschaftsminister des Kosovo beim Round Table on the agriculture and rural development in the Western Balkans and Turkey. Berlin, 17.01.2016. Copyright: Michael Gottschalk/photothek.net/Bundesministerium fuer Ernaehrung und Landwirtschaft

Eksporti i produkteve bujqësore të Kosovës shënoi rritje për 6 % në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014. Sipas të dhënave që Departamenti për Analiza Ekonomike dhe Statistika Bujqësore ka përgatitur bashkë me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në vitin 2015 kishte 2 milionë e 300 mijë euro më shumë eksportim.

Në vitin 2014 ishin mbi 39 milionë e 300 mijë euro eksporte, ndërkaq në vitin 2015 u realizuan mbi 41 milionë e 600 mijë euro. Rritja e përgjithshme është reflektuar edhe në sektorë të veçantë, qoftë tek pemët dhe perimet dhe produktet e përpunuara nga to.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi thotë se këto të dhëna janë një tregues i mirë se prodhimi është rritur dhe prodhuesit tanë po gjejnë treg në vendet e ndryshme në Evropë, por edhe përtej.

Ai thotë se lajmi tjetër i mirë është se edhe konsumi i prodhimeve vendore nga konsumatori në Kosovë është rritur dhe ka një trend pozitiv të rritjes edhe në vitet e ardhshme. Kështu edhe po arrihet objektivi për zëvendësimin e importit.

“Ne kemi investuar shumë në vitet e fundit që të rritet prodhimi dhe cilësia. Tregu ynë por edhe tregu rajonal dhe evropian ka vend për prodhimet nga fermerët dhe agrobizneset tona. Kemi investuar shumë në cilësi dhe përmirësimin e kushteve të punës gjë që po jep rezultat”, thotë ministri Krasniqi.

“Edhe statistikat e këtyre të muajve të parë të vitit 2016 janë shpresëdhënëse sa i përket eksportit dhe konsumit nga konsumatori ynë. Investimet tona këtë vit do të rriten dhe do të ketë më shumë sipërfaqe me perime dhe pemë, më shumë cilësi dhe sasi të mishit vendor dhe padyshim treg edhe më të zgjeruar me vendet e rajonit në veçanti”, tha ministri.

Në vitin 2015, MBPZHR-ja ka ndarë 43 milionë euro për fermerët dhe agrobizneset ndërkaq këtë vit janë planifikuar 46 milionë euro. Vitin e kaluar 2500 vende të reja pune janë hapur në bujqësi nga investimet e shtetit e këtë vit pritet të hapen 3000 vende të reja pune.