Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes te kafshët

0

kafshetttt

Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes vërehen shpesh në të gjitha llojet e kafshëve. Sipas dëmit ekonomik që ato shkaktojnë vijnë menjëherë pas sëmundjeve të aparatit tretës.

Në kushtet e mbarështimit të përqendruar të kafshëve, të porsalindurit dhe kafshët e moshave të reja janë më shumë të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes. Kjo shpjegohet në radhë të parë me uljen e qëndrueshmërisë natyrore të kafshëve si pasojë e faktorëve jo të favorshëm të mjedisit e në mënyrë të veçantë faktorëve stresore (si transporte te gjata, të ftohtit, përqendrimi i madh në stalla të vogla, ndriçimi i paktë, lëvizjet e kufizuara, ushqimet, etj.).

Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes vërehen shpesh te të vegjlit e moshës 1 deri 3 muaj. Dëmet që shkaktojnë këto sëmundje llogariten në uljen e peshës trupore, therjet e sforcuara, etj. Nga kafshët e sëmura, sidomos me pneumoni, nuk mund të sigurohen pasardhës të mirë.

Nga llojet e ndryshme të kafshëve, te ripërtypësit dhe te derrat, denduria e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes është më e lartë. Midis këtyre kafshëve ato të porsalindura dhe të reja sëmuren më shpesh nga këto patologji.

Nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes më të shpeshta janë bronkitet dhe pneumonitë.