SI PO ZHVILLOHET BLEGTORIA NE SHQIPERI

0

Blegtoria mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë bujqësore shqiptare, duke kontribuar me rreth 45,0% ndaj vlerës së përgjithshme të prodhimeve bujqësore blegtorale. Ajo ka tërhequr së fundmi edhe interesin e sipërmarrësve, që në kërkim të alternativave të reja të biznesit, po investojnë në blerjen e fermave me bagëti për prodhim qumështi apo djathi.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, rënie ka shënuar numri i gjedhëve me 2,39%,numri i njëthundrakëve me 21,9% dhe numri i shpendëve me 2,72%, ndërsa rritje kanë shënuar të leshtat me 2,81%, numri i të dhirtave me 0,94% dhe numri i derrave me 5,61%.
Shkak për rënien e numrit të gjedhëve duket se është bërë sëmundja e dermatozës nodulare që, vitin e kaluar, pothuajse pushtoi të gjithë vendin. Sëmundja që erdhi për shkak të mosvaksinimit në kohë të kafshëve krijoi mbi 3 milionë euro dëme në të gjithë vendin, ku me qindra bagëti nuk mbijetuan.
Ministria e Bujqësisë nisi një proces kompensimi këtë vit duke shpërndarë lopë të racës daneze për disa nga familjet e dëmtuara.
Por pavarësisht kësaj situate raportohet se, prodhimi i qumështit ka shënuar rritje konstante nga 1,0% deri në 2,0% në vit. Struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 85,0%, qumësht dele 7,0%, qumësht dhie 7,0% (referuar vitit 2016).
Në Shqipëri, gati si në modë, trendi ndiqet edhe në biznes. I përhapur si një virus, bujqësia po përthith qindra investitorë të rinj në vit, të cilët, duke parë njëri-tjetrin po rrezikojnë investimin, pasi më parë nuk zhvillojnë konsulenca me ekspertë të fushës. Biznesi i fermave të kafshëve është i tillë,
Copëzimi i tokës bujqësore në ferma jo më shumë se 1.3 hektarë është një problem madhor edhe për funksionimin e fermave të mëdha blegtorale. Fermat e mëdha e importojnë rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj.
Tregu vendas nuk mund të sigurojë furnizime të mjaftueshme. Për të gjithë ata që marrin përsipër të investojnë në blegtori mbetet një problem shumë i madh sigurimi i bazës ushqimore. Toka bujqësore është 696 mijë hektarë dhe për shkak të klimës, ka më shumë leverdishmëri për mbjelljen e kulturave të tjera bujqësore me vlera kthimi më të mëdha se sa ushqimi i bagëtive.
Kosova dhe Maqedonia janë furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me bazë ushqimore, kryesisht bar. Vetëm në Kukës janë mbi 12 biznese tregtare që merren me importin e barit nga Kosova, duke e shpërndarë atë më pas në pjesën tjetër të vendit sipas nevojave. Për këtë arsye, ekspertë të sektorit kanë këshilluar gjithnjë investitorët në blegtori që të marrin në konsideratë së pari sigurimin e bazës ushqimore me kosto sa më të lirë, ndryshe Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të bëhet konkurruese me rajonin.
monitor.al