Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Teknika bashkëkohore të prodhimit të fidanëve të perimeve - Bujqesia.eu

Teknika bashkëkohore të prodhimit të fidanëve të perimeve

0

fidanet

Mbjellja e një fidani të mirë është baza për të arritur rendimente të larta në të gjitha kulturat perimore. Një fidan i mirë do të thotë një nisje e fuqishme në një garë ku synohet të shkohet sa më larg në drejtim të sigurimit të të ardhurave.
Teknikat e prodhimit të fidanëve kanë evoluar së tepërmi duke e shndërruar këtë proces, jo vetëm në një mjet të mirë për sigurimin e të ardhurave, por shpesh edhe në biznese të suksesshme. Kushtet për prodhimin e fidanëve të perimeve mund të jenë shumë të ndryshme, në varësi kjo të qëllimit për të cilin këta fidanë prodhohen. Fidanët mund të prodhohen në tunele të zakonshëm, kur prodhohet për nevoja personale; në serra të vogla të veçanta, kur prodhohen sasi jo të mëdha në numër; në serra të mëdha (me kushte të veçanta) të specializuara, kur prodhohet për qëllime fitimi e biznesi. Pavarësisht nga ambienti se ku do të prodhohen fidanët, kushtet që duhet t’u krijohen bimëzave të reja duhet të jenë pak a shumë të njëjta.

Faktorët që ndikojnë në përgatitjen e fidanëve
Për rritjen e një fidani cilësor duhet të kombinohen dhe harmonizohen disa faktorë.
Fara: duhet te rrjedhë nga një burim i sigurte, pavarësisht nëse është hibrid F1, apo kultivar i zakonshëm. Ajo duhet të ruajë parametrat e përcaktuar të fuqisë e energjisë mbirëse, si dhe të pastërtisë varietore.
Materialet mbjellëse dhe mënyra e mbjelljes: teknikat e sotme parashikojnë mbjelljen e farave në tava poliesteroli, të cilat kanë numër të ndryshëm folesh, në të cilat vendoset nga një farë, pavarësisht nga bima që kultivohet.
Tavat mbushen me torfë, e cila para se të hidhet në tavash të mire të dezinfektohet me preparate kundër sëmundjeve kërpudhore. Tavat e mbushura me torfë ujiten dhe vendosen ne dhomën e mbirjes në temperaturë konstante dhe lagështi ajrore të konsiderueshme. (dhoma e mbirjes është një dhomë e veçante, e krijuar me materiale termoizoluese, ku me anë të një paneli automatik, ruhen konstante temperatura, lagështia ajrore e në shumë raste edhe presioni atmosferik. Në rastet e prodhimit të fidanëve në kushte të fermës, dhoma e mbirjes mund të krijohet edhe duke përdorur materiale më të thjeshta e duke e kontrolluar temperaturën e lagështinë në mënyrë manuale). Temperatura në dhomën e mbirjes fiksohet 30◦C, kurse lagështia ajrore duhet të jetë rreth 100%, që torfa në tava të mos thahet.
Pasi lihen për 12-24 orë në dhomën e mbirjes, për të arritur temperaturën ideale të mbirjes, tavat nxirren dhe bëhet mbjellja e farave. Në varësi nga lloji i farës, bëhet mbulimi me një shtresë torfe nga 2 deri në 5 mm trashësi. Pasi ujiten, tavat e mbjella vendosen në dhomën e mbirjes dhe lihen këtu deri sa bimëzat e mbira fillojnë të duken në sipërfaqe.
Ky është edhe momenti për t’i nxjerrë tavat nga dhoma e mbirjes. Ato nuk lihen më gjatë në dhomën e mbirjes pasi kërcejtë e tyre të brishtë etiolohen dhe kur nxirren nga dhoma e mbirjes, bimëzat rrezikojnë shumë që të preken nga kalbëzimi i kërcellit ose vrugu i kërcellit. Më pas rritja e fidanëve do të vazhdojë në serrën e rritjes së fidanëve, ku tavat vendosen mbi bango të posaçme, ku mund të punohet lehtësisht.
Drita: është një nga faktorët kyç për mbarërritjen e fidanëve. Ajo është faktori kryesor për kryerjen e fotosintezës. Pamjaftueshmëria e saj shpesh bëhet një faktor kufizues për ecurinë e mirë të rritjes. Prodhimi i fidanëve në përgjithësi, përkon me periudhën me më pak dritë të vitit, prandaj duhet që muret e serrës të jenë sa më transparente, që ky faktor të mos kufizohet. Serrat moderne janë të pajisura edhe me llamba të fuqishme, të prodhuara apostafat për këtë qëllim. Ato sigurojnë një ndriçim të bollshëm e konstant në të gjithë serrën.
Temperatura: është faktori më i rëndësishëm, por me variabël dhe që luan rolin më të madh në ecurinë e rritjes së fidanëve. Temperaturat e ditës duhet të jenë të ndryshme nga ato të natës. Ne kushte ideale diferenca midis temperaturave të ditës e të natës duhet të jetë rreth 60-7◦C.
Temperaturat ideale të ditës janë 24-28◦C, kurse ato të natës 18-22◦C. Edhe kur nuk është e mundur që temperatura të mbahet në këto shifra, gjë që ndodh shpesh në serrat e tunelet jo plotësisht të përshtatshëm për prodhimin e fidanëve, duhet të tentohet që ato tu afrohen sa më shumë këtyre vlerave, me qëllim që cikli i prodhimit të mos jetë shumë i gjatë e të shkaktojë plakjen e fidanit, por ai të mos jetë edhe shumë i shkurtër e të merret një fidan i dobët e i pakalitur. Mbajtja e temperaturave në serrë është e lidhur ngushtë me sasinë e dritës. Në ditë me diell e me ndriçim të mirë, temperaturat duhet të jenë më të larta, kurse në ditë të vërejtura e me ndriçim të paktë, temperaturat është mirë të jenë disi më të ulëta, që bima të mund të kryejë sado pak fotosintezë e të mos kalojë edhe gjatë orëve të ditës në frymëmarrje, e cila është një proces që nuk ndikon për mirë në rritjen e bimëve.
Lagështia ajrore: Në ndryshim nga periudha në dhomën e mbirjes, në serrë lagështia ajrore duhet të jetë sa më ulët. Një lagështi ajrore në nivele të larta, sidomos në ditët me pak ndriçim të dimrit, shkakton prekjen e bimëzave nga sëmundje të shumta kërpudhore si vrugu i kërcellit, kalbëzimi i kërcellit e i qafës së rrënjës, etj, të cilat në shumë raste shkaktojnë dëmtime të shumta e të rënda të bimëve. Niveli i lagështisë ajrore është mirë të mos rritet mbi 70%. Ky është kufiri i cili duhet të konsiderohet si maksimal. Ruajtja e këtij niveli të lagështisë ajrore, mund të bëhet duke e ajrosur serrën nëpërmjet hapjes së pjesëve të ndryshme të saj ose nëpërmjet ventilimeve me ventilatorë ajrosës ose me anë të ventilatorëve të kaldajave. Kujdes i veçantë duhet të tregohet në ditët e vërejtura, ku duhet të ruhet një raport sa më i mirë i temperaturës, ndriçimit dhe lagështisë ajrore.
Ushqyerja e bimëve
Është një proces shumë i rëndësishëm për të përftuar një fidan vital e të shëndetshëm.
Ushqyerja në ditët e para të jetës së bimëzave të reja bëhet nga materiali me të cilin është mbushur tava, pra nga torfa. Është kjo arsyeja pse torfa duhet të jetë e cilësisë së mirë dhe e pasuruar me elementë ushqyes. Kjo periudhë vazhdon që nga mbirja e deri sa bima nxjerr çiftin e parë të gjetheve të vërteta. Ky është edhe momenti kur fillon ushqyerja e vërtetë e bimëve. Format e reja të plehrave (kristalore dhe xhel) e kanë lehtësuar mjaft ushqyerjen e bimëve e veçanërisht atë të fidanëve.
Për të marrë fidanë të cilësisë së lartë duhet të sigurohet raporti i duhur i elementëve ushqyes dhe të mbahet lënda organike e kubikut në parametra optimalë, në mënyrë që këta elementë të mund të asimilohen sa më shpejt nga bimëzat.
Ushqyerja e fidanëve fillon me plehra kristalorë ose xhel, me elementë të balancuar (20x20x20 / 18x18x18) të cilët i shërbehen bimës me anë të ujitjes në përqendrimin 0,1%. Ushqyerja me këtë përqendrim vazhdon deri sa bimët kalojnë gjysmën e periudhës që mendohet se ato do të kalojnë në fidanishte. Në këtë mënyrë kemi krijuar një bazë të mirë për një fidan të shëndetshëm, me sistem rrënjor të fuqishëm dhe rezistent.
Pas kësaj periudhe është mirë që ushqyerja të bëhet me plehra me përbërje në favor të azotit, në mënyrë që rritja të bëhet më intensive.
Edhe përqendrimi mund të rritet deri në 0,2%.
Një element shumë i rëndësishëm e që ka revolucionarizuar ushqyerjen e fidanëve është përdorimi i plehrave që përmbajnë lëndë proteinike e vitaminoze. Këto lëndë ndihmojnë ndjeshëm në pasurimin e terreneve ushqyese dhe në asimilimin e shpejtë të elementëve të hedhur. Këto lëndë mund të hidhen me anë të ujitjes veças ose bashkë me plehrat e tjera. Kur hidhen veças, përqendrimi varion nga 1-2% dhe plehërimi i radhës me plehrat e zakonshëm nuk bëhet, kurse kur hidhen së bashku me plehrat tjera, përqendrimi përgjysmohet.
Mbrojtja e bimëve
Sëmundjet kryesore që prekin fidanët e perimeve janë ato kërpudhore. Këto janë sëmundje që në shume raste shihen vonë dhe si rrjedhojë, trajtohen me vonesë dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme, sidomos në kushtet e lagështisë ajrore të lartë dhe temperaturave të ultë. Kujdes i veçantë duhet treguar në ditët e vrenjtura e me shi. Disa nga këto sëmundje janë: kalbëzimi i rrënjës, kalbëzimi i qafës së kërcellit, kalbëzimi i kërcellit, vrugu, hiri, etj. Mënyra më e mirë për luftimin e këtyre sëmundjeve është parandalimi i tyre, duke i trajtuar bimët çdo 5-7 ditë me preparate sistemikë. Preparatet për trajtim janë të shumtë, por disa nga më të mirët janë “Previkur”, “Bavistinë”, preparate me bazë “cimoksanil”, etj. Në shumë raste, kur infeksioni është i rëndë, mund të aplikohen edhe ujitje ose banjëzime të komplet tavave.
Trajtimet mund të bëhen më komplekse duke u bashkëngjitur edhe ndonjë preparat insekticid për luftimin e morrave, tripseve, krimbave të gjethes, etj.
Përgatitja e fidanëve për të dalë në fushë të hapur
Para se të dalin në fushë të hapur, fidanët është mirë të parapërgatiten. Parapërgatitja fillon 4-5 ditë më parë duke i transferuar fidanët në mjedis me kushte më të vështira: temperatura më të ultë, lagështi më të paktë, ndriçim më të fortë, etj. Para nxjerrjes në fushë këshillohet që fidanëve tu bëhet edhe një trajtim me fungicide për të parandaluar prekjen nga ndonjë sëmundje e mundshme në momentet e para kur bimët sapo janë trapiantuar.
Pas kësaj bimët e reja janë të gatshme për tu nxjerrë në fushë të hapur.