Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Teknologjia e prodhimit të vezëve për riprodhim   - Bujqesia.eu

Teknologjia e prodhimit të vezëve për riprodhim  

0

vezet

Kultivimi i llojeve të lehta dhe të rënda të pulave për prodhimin e vezëve për çelje, gjegjësisht kultivimi i prindërve paraqet një prodhimtari të specializuar që kërkon kujdes të posaçëm.

Gjatë kultivimit të prindërve duhet pas kujdes duke filluar nga kultivimi i kategorive të reja, sepse kjo fazë ka ndikim të posaçëm në shprehjen e aftësive prodhuese të prindërve gjatë fazës prodhuese.

Objektet – për këtë kategori të shpendëve, objektet duhet të jenë plotësisht të izoluara dhe të mbrojtura nga sëmundjet e ndryshme infektive si dhe në to duhet të kultivohet vetëm një  vetëm një kategori e shpendëve. Këto objekte që janë të karakterit të plotë industrial, duhet ti plotësojnë të gjitha kushtet e vendosjes, kujdesit dhe të ushqyerit në mënyrë që të arrihet prodhimtaria maksimale e vezëve për çelje, fekonditeti i tyre sa më i lartë dhe vitaliteti i lartë i zogjve qoftë për prodhimin e vezëve për konsum apo të brojlerëve.

Për këtë drejtim të prodhimtarisë bëhet seleksionim më i ashpër në mënyrë që prodhimtaria të jetë sa më rentabile.

Objektet për këtë tip të prodhimtarisë më së shpeshti janë të kapacitetit 5-7 mijë prindër (mashkuj dhe femra) varësisht nga hibridi me sipërfaqe prej rreth 1000 m². Dyshemeja duhet të jetë nga betoni ose asfalti dhe e ngritur nga toka rreth 30 cm në mënyrë që të evitohet hyrja e lagështisë së jashtme në objekt.

Temperatura e objektit – varet nga termoizolimi i objektit, drejtimi i erërave dhe sistemi i ngrohjes së objektit. Temperatura optimale për këtë kategori të shpendëve është 18-22°C, temperatura minimale 10°C, kurse maksimale rreth 26°C.

Lagështia e ajrit – duhet të jetë 65-75%. Pirja e ujit organizohet përmes pirëseve të plastikës dhe për çdo 50 shpendë duhet të vendoset një pirëse e ujit që sa i përket lartësisë ajo duhet të ngritet deri në lartësinë e shpinës së shpendëve.

Ventilimi – poashtu është ndër faktorët kryesor për prodhimin e suksesshëm të vezëve për çelje dhe kapaciteti optimal i ventilatorëve është nëse ata sigurojnë rreth 5 meter kub ajër/orë për 1 kg të masës së gjallë të prindërve në çdo pjesë të objektit.

Ndriçimi – programi i ndriçimit është i posaçëm për çdo hibrid dhe jepet nga prodhuesi ose eksperti i kësaj lëmie. Këtij duhet përmbajtur me përpikëri sepse është e njohur që ndriçimi ka ndikim të posaçëm në intensitetin e vojtjes. Deri në fund të javës së 18 shpendët për riprodhim zakonisht kultivohen në ditën 8 orëshe, kurse pas kësaj moshe gjatësia e ndriçimit shtohet për gjysëm orë në javë deri sa të arrihet ndriçimi në gjatësi prej 15 orëve, apo maksimum 17-18 orë në ditë (varësisht nga hibridi) dhe kjo vazhdon deri në fund të prodhimtarisë. Intensiteti i ndriçimit te prindërit preferohet të jetë rreth 3,5 W/m² të dyshemesë. Në një regjim të tillë të ndriçimit shpendët e kësaj kategorie janë më të qeta dhe shpenzojnë më pak ushqim dhe energji në krahasim me objektet ku intensiteti i ndriçimit është më i lartë, kur edhe mund të vërehet nervoza te shpendët.

Të ushqyerit – preferohet të ushqyerit përmes konvejerit automatik në dysheme dhe çdo individi duhet siguruar hapsirë të mjaftueshme ushqyese. Për prindërit e materialit të lehtë kjo hapsirë duhet të jetë rreth 10 cm, kurse te ata të materialit të rëndë rreth 15 cm. Shpejtësia optimale e zingjirit transportues duhet të jetë rreth 15 m/minut. Nëse shfrytëzohen enët plastike të ushqimit duhet llogaritur në rreth 20 individë për një enë me diametër 50 cm. 148

Strofullat ose furriçet – zakonisht janë të përbashkëta, të vendosura në një ose dy rende dhe për çdo 5 pula një furrik. Dimenzionet e furrikut për prindërit e materialit të rëndë duhet të jenë: gjerësia 30 cm, thellësia 35 cm dhe lartësia 25 cm, kurse për prindërit e materialit të lehtë: gjerësia 30, thellësia 30 dhe lartësia 25 cm. Furriçet janë të vendosura njëra mbi tjetrën dhe furriku i parë duhet të jetë në lartësi prej rreth 30 cm mbi dysheme, kështu që pragu më i ulët ku hipin shpendët duhet të jetë në lartësi maksimale prej 45-50 cm. Preferohet që furriçet të vendosen në gjatësin e mureve, kurse në objektet me gjerësi më të madhe, në mënyrë që të eliminohet shpërndarja e vezëve nëpër objekt, bateritë e furriçeve mund të vendosen në pjesën e mesme të objektit në dy rende të kthyera kah njëra tjetra me pjesën e pasme.

Llojete rënda te pulave  për prodhimin e vezëve për çelje shfrytëzohen 10-11 muaj, kurse llojete lehta 11-12 muaj. Pulat të cilat vendosen në objektin prodhues në moshën 18 javëshe, nëqoftëse deri në këtë kohë kanë qenë të ndara sipas gjinisë, duhet të bashkohen në raport 1:10 ose 1:11.

Prindërit mund të kultivohen në tërë sipërfaqen e objektit, por më së miri është që objekti përmes rrjetës së telit të ndahet në 5-6 pjesë që në këtë mënyrë mundësohet kontrollimi më i mirë i shpendëve.

Në fazën e prodhimtarisë maksimale të vezëve prindërit e rëndë harxhojnë mesatarisht 155-165 g ushqim në ditë, kurse prindërit e lehtë 125-135g. Shpenzimi i ujit është 250-280 cm  kub  për një pulë.

Prodhimi i vezëve – llojet e lehta fillojnë të japin vezë në moshën 22 javëshe, kurse ato të rëndat në moshën 24 javëshe. Pas dy jave prodhimtaria arrin nivelin në 80%. Gjatë fazës së prodhimtarisë nga llojete lehta merren 200-220 vezë për pulë, kurse nga ato të rëndat 150-160 vezë. Vezët duhet të grumbullohen së paku 3-4 herë në ditë. Vezët e grumbulluara duhet të vendosen në ambalazhë të posaçme për këtë qëllim dhe të përcillen në depon e posaçme me kushte optimale të mikroklimës, gjegjësisht me temperaturë rreth 18°C dhe lagështi të ajrit 75-85%. Para se të dërgohen vezët në stacionin e inkubatorëve duhet të dezinfektohen.

Nëse ambalazhi për paketim është nga kartoni mund të shfrytëzohet vetëm njëherë, kurse ai nga materiali plastik pas dezinfektimit mund të përdoret përsëri.

Mbajtja e Evidences – për çdo objekt dhe çdo grup të shpendëve duhet të mbahet evidenca ditore e prodhimtarisë së vezëve, numrit të ngordhjeve, shpenzimit të ushqimit, temperaturës dhe lagështis së ajrit, në mënyrë që të kemi parasysh nivelin e shfrytëzimit të kapacitetit prodhues të shpendëve.

Në fund të ciklit prodhues shpendët largohen nga objekti dhe ai detalisht përgatitet për pranimin e tufës së re të shpendëve.