Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Turizëm në Kosovë? Vizitoni shpellën e Gadimes - Bujqesia.eu

Turizëm në Kosovë? Vizitoni shpellën e Gadimes

0

805348_GadimeCave  Shpella e Gadimes, pranë Lipjanit, thuajse në qendër të Kosovës është një nga mrekullitë, që natyra ka mbajtur fshehur për qindra vjet me radhë. Galeritë natyrore në shkëmbinj mermeri janë plot befasi të këndshme, të cilat e kthejnë vizitën nëntokësore në një kënaqësi të veçantë. Megjithëse jo shumë e njohur për publikun për shkak të problemeve të administrimit, shpella e mermerit e Gadimes përbën një tërheqje të këndshme për këdo që e viziton. Ajo po kthehet në një destinacion mjaft tërheqës edhe për vizitorët shqiptarë, të cilët me sistemin “gojë më gojë” e kanë vënë atë në hartën turistike të qendrave më të rëndësishme të Kosovës.

Bilal Kërtusha, shofer autobuzi në qytetin e Durrësit, thotë për “Gazetën e Durrësit” se në itineraret e organizuara në grupe, ka gjithmonë kërkesa për vizita në shpellën e mermerit, që ndodhet rreth 20 km larg Prishtinës. “Bashkë me vizitorët vendas janë gjithnjë e më të shumtë qytetarët shqiptarë që mbërrijnë në Lipjan, enkas për të vizituar këtë shpellë krejt të veçantë,” – thotë Bilali.

Në botën e nëndheshme të mermerit

Shëtisim në udhën e shtruar me çimento dhe të ndriçuar dobët, e cila vazhdon për qindra metra në drejtime të ndryshme bashkë me vizitorët e tjerë vendas dhe të huaj dhe shpesh herë ecim në radhë të përkulur. Na duket vetja si  të jemi speleologë të gatshëm për eksplorim. Dera e hekurt është mbyllur pas nesh dhe bashkë me një grup turistësh amerikanë lëvizim mes ndriçuesve të instaluar në të dy anët e rruginës së shtruar me çimento. “Shpella e Gadimës, në fakt, nuk është eksploruar tërësisht dhe pjesa e padukshme që vazhdon të fshihet nën tokë duhet të jetë disa herë më e madhe se kjo që është bërë e vizitueshme nga viti 1974,” – thotë Hysen Tasholli, ciceroni që na udhëheq mes formave të pafund që natyra i ka dhënë shkëmbinjve. “Sipas studiuesve, shpella ka një kat tjetër me galeri dhe një liqen nëntokësor disa metra të thellë,” – shton Hyseni, i cili kujdeset që informacionet e tij të mos marrin formën e përfundimeve shkencore.

Termometri në shpellë në të gjitha stinët ndalet në temperaturën nga 8 – 13 gradë celcius, ndërsa kur porta e madhe mbyllet, të vetmet qënie të gjalla aty janë lakuriqët e natës. Njëlloj si gjithë monumentet, që natyra i fsheh me xhelozi nga sytë e njerëzve, edhe shpella e Gadimes u zbulua rastësisht nga një fshatar, i cili ndërsa po ndërtonte themelet e shtëpisë, ndeshi në një pus, fundin e të cilit nuk e gjente dot vetëm. “Ishte viti 1969 dhe bashkëfshatari ynë Ahmet Diti nuk e dinte se, bashkë me damarët e mermertë të nëntokës, kishte gjetur fundin e njërës prej galerive natyrore të Gadimes,” – tregon Hyseni, duke ndriçuar me elektrik dore një mur të trashë që e ka bllokuar përsëri lidhjen mes dritës së diellit dhe errësirës nëntokësore.

Stalaktitet dhe stalagmitet janë fenomeni më i përhapur në të gjithë shpellën. ”Duhen mijëra vjet për të krijuar vetëm pak milimetra kristale,” – shprehet Hyseni, i cili duhet të ketë kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij duke u treguar turistëve misteret e thellësive.

Por, jo gjithmonë fenomenet kanë shpjegimet e tyre shkencore. “Këtu, për shembull, kristalet nuk i janë bindur ligjeve të gravitetit dhe në vend që të varen poshtë kanë krijuar një shtresë të bardhë, që ndërthuret si të ishte një tapet i shtruar në tavanin e shpellës,” – tregon lart me gisht Hyseni. Diku tjetër myshqet e gjelbërta kanë zënë një sipërfaqe të vogël, duke provuar se edhe nën tokë mundësitë e jetës janë të pafundme. “Ende nuk ka të dhëna nëse kanë jetuar apo jo njerëz në këtë shpellë, por mundësitë janë të shumta,” – i përgjigjet shikimit tonë pyetës ciceroni, ndërsa na tregon më tej format e fosileve, që ndoshta mund t’u përkasin edhe njerëzve prehistorikë. Kush e di!

Në një prej hapësirave që i ngjajnë një maketi skenografik, Hyseni ndalet më gjatë. “Këtu duken qartë ‘Romeo dhe Zhuljeta’,” – tregon ai dy prej shtyllave kristalore që i drejtohen prej dhjetra mijëra vjetësh njëra-tjetrës, por pa u takuar ende. “Në dasmën e tyre do t’ju ftojmë të gjithëve,” – qesh ai më pas, sikur të ishte pranë ballkonit të shtëpisë ky dy dashnorët veronezë i deklamonin njeri-tjetrit dashurinë e përjetshme, që Shekspiri e bëri të pavdekshme.

Vizitorët e huaj shkrepin aparatet fotografikë dhe blicet ndriçojnë për një çast edhe forma të tjera. Diku shkëmbinjtë e latuar nga koha përcjellin formën e këmbëve të elefantit, a të një tavlle duhani. Më tej, duket një gjuhë e prerë në mes, e më pas një tjetër befasi: në ujrat e kthjellta nën një shkëmb të ndriçuar, duken dhjetra monedha që turistët kanë hedhur prej kohësh. ”Ky është vendi ku dëshirat bëhen realitet,” – thotë Hyseni, ndërsa dikush kujtohet për ngjashmërinë me monumentin “Fontana di Trevi” në Romë.

Por më shumë se gjithçka, imagjinata e Hysenit ndalet te historia e shqiptarëve. “Ja harta e Kosovës,” – tregon ai njërin prej shkëmbinjve, e më pas duke ngritur lart ndriçuesin: “Ja dhe koka e shqiponjës”. E më përtej, kur kalojmë në galerinë e fundit: “Ja dhe përkrenarja e Skënderbeut!”

Shpella e Gadimes, ja si u zbulua

Shpella e Gadimes ndodhet në fshatin me të njejtin emër, në afërsi të Lipjanit, rreth 20 km larg kryeqytetit të Kosovës. Ajo është e gjatë rreth 1 500 metra, por turistët mund të vizitojnë vetëm 800 metrat e para, pasi kalimet e tjera janë të bllokuara. Gjatë stinës së verës temperatura brenda shpellës është 8 – 11 gradë celsius, ndëra në dimër varion nga 11 – 13 gradë celsius.

Shpella është zbuluar rastësisht në vitin 1969 nga fshatari Ahmet Diti, i cili po riparonte banesën e tij. Ekipe të ndryshme speleologësh e kanë hulumtuar atë në vitet 1970. Shpella është hapur për publikun në vitin 1974, pas shumë punimeve për pastrimin e saj dhe për krijimin e korridoreve të shëtitjes. Ajo është e vetmja shpellë turistike në Kosovë, megjithatë një pjesë e madhe e saj vazhdon të jetë e pazbuluar. Sipas të dhënave, hapësirat e tjera mund të jenë si në katin më poshtë ashtu edhe në atë që ndodhet sipër katit të zbuluar 45 vjet më parë.

Shpella ka tre hyrje në lartësitë 576 – 584 metra mbi nivelin e detit. Pjesa turistike është rreth 800 metra dhe vizita e organizuar zgjat rreth dy orë. Shpella është formuar nga një lum nëntokësor në një thjerrës gëlqerore të mermerizuar.