Warning: Use of undefined constant WPSocialShare - assumed 'WPSocialShare' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/wp-social-share/wp-social-share.php on line 19 Warning: session_start(): Cannot start session when headers already sent in /customers/c/4/e/bujqesia-ks.com/httpd.www/wp-content/plugins/custom-sidebars/inc/class-custom-sidebars-explain.php on line 55 Udhëzime mbi prodhimtarinë industriale të fidanëve të Perimeve-Pjesa e Dytë - Bujqesia.eu

Udhëzime mbi prodhimtarinë industriale të fidanëve të Perimeve-Pjesa e Dytë

0

Momenti i mbirjes se farave quhet koha kur kasetat duhet te dalin nga dhomat e para mbirjes.
Gjatë kohës së mbirjes, kujdes i veçantë i duhet kushtuar mbajtjes së substratit në gjendje vazhdimisht të lagur.Për këtë qëllim në dhomën e parambirjes lagështia relative e ajrit ruhet në 95-100% (në dhomat e mbirjes kjo realizohet nëpërmjet mjegullimit të vazhdueshëm të mjedisit), ndërsa pas daljes së kasetave në serë bëhen, sipas nevojës, ujitje periodike.Është shumë i rëndësishëm që temperatura e mjedisit, në cdo pjesë të tij, të jetë uniforme gjatë të gjithë kohës.Në të kundërt, do të ketë mbirje të çrregullta dhe më pas diferenca të konsiderueshme në intensitetin e rritjes së bimëve.

Ndriçimi.Pa dyshim që drita është faktori më i rëndësishëm për rritjen e fidanëve, prandaj sigurimit të ndriçimit të plotë i kushtohet rëndësi e veçantë.Mungesa e ndriçimit manifestohet me tejzgjatje dhe etiolim (zbardhje të kërcellit) të fidanëve, ndjeshmëri më të lartë ndaj sëmundjeve kërpudhore dhe çfarë është më e rëndësishmja, me zvogëlim të potencialeve të ardhshme prodhuese të bimëve.Mungesa e ndriçimit, nuk mund të korrigjohet me vendosjen e llambave të zakonshme, sado të fuqishme të duken ato.Ndriçimi i plotë mund të arrihet vetëm nëpërmjet instalimit të llambave të veçanta me fuqi shumë të lartë.Me gjithë koston e lartë të tij, ndriçimi artificial i fidanëve është në shumicën e rasteve ekonomikisht i justifikuar.

Krasitja ajrore e rrënjëve.Principi bazë i prodhimit të fidanëve në module është krasitja ajrore e rrënjëve. Kasetat duhet të mbështeten mbi tavolina, blloqe druri, tela të tendosur etj., në mënyrë që ato të jenë të izoluara nga toka me një shtresë ajri jo më pak se 5 cm. Lartësia e preferuar nga toka është 10 cm. Krasitja ajrore bazohet në faktin që majat e rrënjëve vdesin kur rrënjët dalin jashtë kasetave dhe bien në kontakt me ajrin dhe në këtë mënyrë favorizojnë formimin e një lëmshi rrënjësh brenda foleve në kaseta.

Vendosja e kasetave drejtpërdrejtë mbi sipërfaqen e tokës, pleh të pakalbur, mbi sipërfaqe prej çimentoje, apo mbi fletë plastike është e gabuar sepse lejohet dalja e rrënjëve jashtë kasetave dhe depërtimi i tyre në tokë, apo (në rastin e sipërfaqeve prej çimentoje dhe fletëve plastike) krijimi i një shtrese të dendur rrënjësh në pjesën e poshtme të kasetës.Vendosja korrekte e kasetave, shoqëruar me teknologjinë e përshtatshme të kultivimit mundëson formimin e një sistemi rrënjor të zhvilluar mirë dhe që shkëputet me lehtësi nga kaseta.

Ujitja.Kerkesat më të mëdha të bimëve për ujë janë në fazën e mbirjes së farave.Për këtë arsye, menjëherë pas mbjelljes bëhet një ujitje me sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit.Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave.
Fidanë me cilësi të lartë mund të përftohen vetëm nëpërmjet ujitjeve korrekte.Nëse ujitja me dorë e fidanëve është praktike në sipërfaqe të kufizuara, prodhuesit e mëdhenj e kanë të domosdoshme të instalojnë sisteme të mekanizuara ujitje.Sistemi më efektiv i ujitjes është ai i lëvizshëm formë shiu, i cili lejon lëvizjen mekanike të sprucatorëve të ujitjes në çdo segment të fidanishtes. Në ndonjë rast mund të ndodhë që qelizat anësorë të tavave skajore të thahen më shpejt se sa ato të qendrës së blloqeve. Në këto raste janë të domosdoshme ujitjet plotësuese me dorë.Numri i ujitjeve është i kushtëzuar nga kushtet e motit dhe faza fenologjike e fidanëve.Ujitja duhet të jetë e tillë që të realizojë rrjedhje minimale të ujit nga modulet dhe humbje minimale të lëndëve ushqyese prej tyre.

Plehërimet e lëngshme.Rritja e fidanëve mund të kontrollohet nëpërmjet administrimit të sasisë dhe raporteve midis elementëve bazë ushqyes.Në përgjithësi kompostot industriale që shfrytëzohen në prodhimin e fidanëve janë të pasuruara me elementë të ndryshëm ushqyes dhe mund të sigurojnë të ushqyerit normal të fidanëve për pjesën më të madhe të qëndrimit të tyre në kaseta.Gjithsesi, në situata të caktuara, mund të kërkohet të ndërhyhet me plehra të ndryshëm për të bërë korrigjimet e nevojshme.Vëllimi i vogël në të cilën shtrihet sistemi rrënjor dhe intensiteti i lartë i rritjes së fidanëve i bëjnë shpesh plehërimet të domosdoshme.Plehrat mund të shtohen nëpërmjet sistemit të ujitjes me anë të sistemeve të ndryshme të injektimit.Frekuenca e plehërimeve varet nga gjendja e bimëve, faza fenologjike dhe kushtet e motit.Elementi kryesor ushqyes që rregullon intensiteti i rritjes së fidanëve është azoti.

Esenciale është që gjatë ndërhyrjeve për kontrolluar rritjen e fidanëve të përdoren doza të vogla, për të mos nxitur rritje vegjetative të tepruar, apo të pakontrolluar të fidanëve.Ndërsa, përqendrimi i fosforit në tretësirat ushqyese të fidanëve duhet të jetë nga 15 në 40 mg L-1 dhe ai i potasit nga 100 në 200 mg L-1.
Normat orientuese të përqendrimit të azotit janë si më poshtë:
Domate 50-100 mg L-1
Spec 100-150 mg L-1
Lakra 100-150 mg L-1
Kungulloret 100-150 mg L-1

Ndikimi i madhësisë së modulit (kubikut) në cilësitë e fidanit. Prodhimi i hershëm është proporcional me madhësinë e moduleve, por nuk ndodh kështu me prodhimin total.Nëqoftëse synim është prodhimi i hershëm, rritja e fidanëve duhet të bëhet në module me përmasa të mëdha.Në të kundërt, prodhimi në module me përmasa të vogla është më ekonomik. Avantazhi i moduleve me përmasa më të mëdha lidhur me prodhimin e hershëm, apo atë gjithsej, është i dukshëm nëse trapiantimi realizohet përpara fillimit të lulëzimit. Në të kundërt, përpara trapiantimit duhet të bëhet detyrimisht heqja e luleve, ose frutave.

Kontrolli i gjatësisë së fidanëve.Metoda e diferencave të temperaturave (DIF) është mënyra më e mirë për të kontrolluar lartësitë e fidanëve.DIF përllogaritet nga diferenca e temperaturës të ditës me temperaturën e natës.Një vlerë pozitive e DIF favorizon rritjen e përshpejtuar të bimëve, ndërkohë që një vlerë e mundshme negative, përkundrazi do të frenojë rritjen e bimëve.Temperaturat e larta në 3-4 orët e para pas lindjes së diellit, shkaktojnë tejzgjatje të fidanëve. Kjo mund të parandalohet duke mbajtur në orët e para të mëngjezit temperatura më të ulta se sa ato të natës, por jo më pak se 10 gradë C. Zakonisht vlera negative prej 4-5 C të DIF, mundësojnë një kontroll të mirë të lartësisë së bimëve.

Regjimi i ujitjes është një tjetër mjet i fuqishëm për të kontrolluar rritjen e fidanëve. Frekuenca e vogël e ujitjeve, duke i dhënë përparësi ujitjeve në orët e mëngjezit dhe kufizimit në maksimum të ujitjeve në orët më të nxehta të ditës, apo në ditët më ndriçim më të kufizuar ndikon pozitivisht në prodhimin e fidanëve me trup të shkurtër. Lëkundjet, apo përkuljet e lehta (disa herë në ditë) janë një tjetër mundësi e mirë për të prodhuar fidanë me kërcej të shkurtër dhe të trashë, pa dëmtuar kapacitetet e tyre prodhuese.

Mosha e fidanëve.Koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë duhet të përcaktohet në varësi të madhësisë së moduleve, species dhe kohës së kultivimit.Sa më e gjatë të jetë koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë, aq më shumë do të frenohet rritja nën dhe mbitokësore e fidanëve dhe aq më shumë do të zvogëlohet intensiteti i rritjes së tyre. Në mënyrë të vecantë, nëse koha e qëndrimit të fidanëve në kasetë do ta kalojë kohën e fazës së rritjes aktive të tyre, do të vështirësohet lidhja e tyre me tokën pas trapiantimit dhe do të zvogëlohet ndjeshëm prodhimi i pritshëm prej tyre. Vlerat orientuese të kohës së qëndrimit të fidanëve në kaseta, në varësi të species, numrit të fidanëve në kasetë dhe kohës së prodhimit paraqiten në tabelën që vijon.

Kultura Nr.fidanëve në kasetë Afati optimal i qëndrimit të fidanëve në kasetë (ditë)
Domate e hershme 60-84 55-60
Domate e mesme dhe e vonë 120-170 35-40
Spec 120-170 60-65
Patëllxhan 120-170 60-65
Kastravec i hershëm 40-60 25-30
Kastravec i mesëm 60-84 15-20
Shalqin i pashartuar 84-120 20-30
Shalqin i shartuar 60-84 35-45
Lakra / lulelakra 170-256 25-35

Kalitja e fidanëve. “Kalitja” është termi që nënkupton përgatitjen përfundimtare të fidanëve për mbjellje në vendin e përhershëm. Ajo nënkupton zvogëlimin e ritmit të rritjes, shtimin e lëndës së thatë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së fidanit ndaj streseve të mundshme të mjedisit të ri ku do të zhvendoset fidani. Gjithsesi, është e rëndësishme të nënvizohet që kalitja duhet të bëhet me kujdes dhe vetëm në ditët e fundit të qëndrimit të tyre në vendin e prodhimit, për arsye se një kalitje e zgjatur dhe e tepruar do të influenconte negativisht si në shpejtësinë e lidhjes së fidanëve me tokën, ashtu edhe në prodhimin e ardhshëm të tij. Mënyrat kryesore të realizimit të kalitjes janë;

Ujitja; zvogëlimi gradual i sasisë së ujit që përdoret për ujitje dhe i kohëzgjatjes së ujitjeve, reduktojnë intensitetin e rritjes së fidanëve. Megjithatë, në asnjë rast nuk duhet lejuar tharja e substratit deri në atë shkallë sa që të shkaktohet vyshkja e fidanëve.
Temperatura; ulja e temperaturës deri në nivelin e temperaturës së mjedisit të kultivimit të bimëve mundëson aklimatizimin e plotë të fidanëve përpara daljes së tyre në vendin e përhershëm.
Plehërimi; zvogëlimi, apo ndërprerja e plotë e plehrave azotike përpara procesit të kalitjes rrit përmbajtjen e lëndës së thatë në bimë.Gjithsesi, 1-2 ditë përpara trapiantimit këshillohet të bëhen plehërime me doza të larta azoti, për të furnizuar fidanët me një sasi të mjaftueshme elementësh ushqyes për ditët e para pas trapiantimit.

Plehërimi para mbjelljes.Pak para transportimit për në fushë fidanët ujiten bollshëm me ujë me përmbajtje të lartë të plehrave fosforike dhe më pak azotike. Plehërime të tilla (starter) ndihmojnë shumë në lidhjen e shpejtë të fidanëve me tokën, për arsye se u sigurojnë fidanëve një rezervë elementësh ushqyes lehtësisht të asimilueshme për ditët e para pas trapiantimit (kjo është e domosdoshme në rastet e mbjelljeve të hershme, kur për shkak të temperaturave të ulta të tokës aktiviteti i sistemit rrënjor është shumë i kufizuar) dhe njëkohësisht nxit aktivizimin e shpejtë të sistemit rrënjor dhe lidhjen e tij me tokën në vendin e përhershëm. Substrati në momentin e mbjelljes duhet të jetë në kushtet e kapacitetit të plotë fushor ujëmbajtës. Një masë e tillë do të zvogëlonte streset ujore të bimëve në momentin e vendosjes në vendin e përhershëm dhe mundësonte po ashtu lidhjen e tyre të shpejtë me tokën.

Kontrolli i sëmundjeve dhe i dëmtuesve.Higjiena e plotë e kasetave dhe e substrati që përdoret për prodhimin e fidanëve është e domosdoshme.Sëmundjet që dimërojnë në tokë mund të përcillen nga një cikël prodhimi në tjetrin nëpërmjet kasetave të pa dezinfektuara. Kasetat plastike mund të dezinfektohen duke i zhytur në solucione formaline, ndërkohë që tavat prej polisteroli (bukë peshku) mund të përpunohen me fungicide me bazë të gjerë veprimi. Trajtimet e fidanëve gjatë rritjes kushtëzohen nga natyra e problemeve që lindin gjatë rritjes së tyre.

Treguesit cilësorë të fidanëve perimorë.
Ndryshe nga drufrutorët, për fidanët perimorë nuk ekzistojnë standarde të cilësisë së fidanëve. Megjithatë, ekziston një pajtim i gjerë që fidanë perimorë cilësorë konsiderohen ata që plotësojnë kriteret që vijojnë;

Janë të pastër nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
Kanë gjethe dhe kërcej me ngjyrë të gjelbër të errët dhe përmbajtje të lartë klorofile.
Kanë sistem rrënjor të zhvilluar mirë, pa simptoma kalbëzimi, apo tapëzimi.
Kanë kërcell të fuqishëm dhe të zhvilluar mirë.
Kanë sipërfaqe gjethore të mjaftueshme.
Zotërojnë aftësi për tu lidhur shpejt me tokën pas trapiantimit dhe kanë potenciale të larta për rritje të shpejtë pas rrënjëzimit.