Vyshkja me njolla

0

domatja

Tek domatja,virusi shkakton ngjyrimin e menjëhershëm në kafe tek gjethet e reja dhe frenimin e rritjes së bimës, ku në gjethe, bishtat e tyre dhe në kërcell formohen plagë nekrotike. Frutat e prekur deformohen, ku mbi ta shfaqen njolla rrethore ku ngjyra e kuqe e frutit këmbehet me ngjyrën e verdhë.

Biologjia dhe zhvillimi i sëmundjes

Ky virus ka një numur të madh bimësh strehuese (rreth 160 dykotiledone dhe 10 monokotiledone) kryesisht të familjeve Solanaceae, Compositae dhe Leguminosae. Përvec domates, virusi infekton duhanin, pataten, patllixhanin, sallatën, fasulen, disa lloje barërash të këqia, etj. Tripsi i luleve Frankliniella occidentalis njihet si vektori kryesor i përhapjes së virusit por edhe disa specie të tjera tripsesh, ndër të cilët edhe Thrips tabaci njihen si bartës të virusit TSËV. Si rezervuarë të virusit janë gjetur edhe disa barëra të këqia.

Menaxhimi i sëmundjes

Masa agroteknike: TSWV konsiderohet parazit karantinor në Bashkimin Europian dhe në Shqipëri. Si i tillë, masat karantinore duhet të pengojnë në maksimum mundësinë e hyrjes së materialit bimor të infektuar, ashtu si dhe futjen e tripsit të luleve F. occidentalis. Fermerët duhet të përdorin për mbjellje fidanë me një pastërti të garantuar si për virusin edhe për tripsin.

Masë kryesorë ndaj këtij virusi është monitorimi i vazhdueshëm i pranisë së tripseve duke përdorur kurthe tërheqës me ngjyrë të kaltërt, sidomos në hyrje apo pjesët anësore të serës. Kjo masë është vecanërisht e rëndësishme për prodhuesit e përqëndruar të fidanëve. Në serë e përreth saj duhen shkatërruar bimët spontane të egra strehuese për virusin, sidomos para mbjelljes së kulturës së re.

Kontrolli kimik: Konsiston në përdorimin e insekticideve kimike ose biologjike ndaj tripseve vektorë. Një masë tjetër kimike mund të jetë eleminimi i barërave të këqia strhuese për virusin dhe tripset përreth serës me anë të herbicideve.